Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për këshilltaren e Gjykatës së Lartë, Elona Kana. Kjo e fundit dha dorëheqjen pak para përballjes me gjetjet përfundimtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në vendim, Komisioni bën me dije se ka përfunduar hetimin ndaj Kanës në korrik të vitit që shkoi dhe i kaloi barrën e provës. Në këtë fazë të parë, Kana kërkoi nga KPK që të shtyjë me 20 ditë afatin e sigurimit të provave. Pas kësaj, më 2 tetor u la seanca e parë dëgjimore për Elona Kanan. Më tej, Komisioni bën me dije se këshilltarja e Gjykatës së Lartë ka kërkuar t’i vihej në dijeni para seancës, qëndrimi i Komisionit përkundrejt kundërshtimeve të saj, si dhe të kishte mundësi të ribënte analizën financiare dhe raportin paraprak. Por Komisioni konstaton se analiza finale për subjektet e rivlerësimit bëhet pas zhvillimit të seancës dëgjimore publike duke mos e pranuar këtë kërkesë. Më pas, në seancën e 2 tetorit, Elona Kana kërkoi përjashtimin e relatores së çështjes, Xhensila Pine, pasi kishte dyshime për ndikim politik të Pines në qëndrimin ndaj saj. Konkretisht Kana u shpreh se relatorja është propozuar nga PD, duke pretenduar se i cenohet integriteti dhe se Pine do të japë vendim subjektiv. Vlen të theksojmë se Kana është bashkëshortja e nënkryetarit të KQZ, Denar Biba. Por, kërkesa e bërë nga Elona Kana u rrëzua nga trupa e Komisionit, si e pabazuar në ligj e prova nga një trupë tjetër gjyqësore e KPK. Gjithashtu, Kana e mbështeti kërkesën për përjashtimin e Pines edhe me ndjesinë e saj se nuk ishin marrë parasysh provat dhe dokumentet e dorëzuara në lidhje me udhëtimet e punës si dhe të ardhurat e saj. Kana pretendoi se nuk mund të vazhdonte gjykimi nëse më parë nuk ishte njohur me qëndrimin e KPK-së pas dorëzimit të provave dhe dokumenteve të reja, me pretendimin se nuk mund të bënte një mbrojtje efektive. Në vendim, në kuadër të kësaj situate bëhet me dije se Kana u njoftua për një tjetër seancë dëgjimore, konkretisht dy ditë më vonë. Por, pak para ditës së seancës, Kana i ka bërë me dije Komisionit dorëheqjen e saj nga vijimi i procesit akademik e praktik në Shkollën e Magjistraturës dhe për pasojë, seanca dëgjimore u shty edhe një herë tjetër deri në verifikimin e rrethanave dhe kushteve të dorëheqjes. Si rrjedhojë, për shkak të situatës së Kanës, KPK vendosi të pushojë procesin për të.










































