Afro 100 gjyqtarë dhe prokurorë të ngelur në veting rrezikojnë të shkojnë edhe për ndjekjen penale. Gjermania e ka vënë kusht hetimin e tyre, ndërkohë që edhe kryeministri Rama e ka paralajmëruar një gjë të tillë. Por sa e mundur është kjo gjë? Gazeta ka folur me juristët, të cilët kanë treguar në konceptin juridik nëse duhet të hetohen apo jo të ngelurit në veting. Juristi Jordan Daci u shpreh ditën e djeshme se njerëzit e drejtësisë, të cilët kanë ngelur gjatë procesit të rivlerësimit duhet t’i nënshtrohen hetimit, për të konstatuar nëse ata janë të përfshirë në vepra penale apo kriminale. Në reagimin e tij për gazetën, Daci tha se hetimi i tyre është edhe një nga kushtet që ka vendosur Bundestagu për hapjen e negociatave, duke shtuar se kjo është në përputhje me parimin e barazisë. Sipas juristit, hetimi për të ngelurit në veting është përcaktuar në legjislacion, duke shtuar se mungon vullneti i atyre që janë kompetentë për ta bërë këtë gjë. “Gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting duhet të hetohen, atë e kanë thënë të gjithë madje është edhe kërkesë e Bundestagut. Legjislacioni e lejon, por thjesht nuk ka patur vullnet. Në rastet kur ka dyshime që mund të kemi produkte të veprës kriminale ose penale, patjetër që duhet të hetohet. Kjo është në përputhje me parimin e barazisë dhe nuk diskutohet që po”, u shpreh juristi Jordan Daci.
Kompetenca e KPK dhe KPA
Ndërsa juristi Sajmir Vishaj në reagimin e tij për gazetën “SOT” u shpreh se vendimin për të hetuar të ngelurit në veting e kanë organet e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioni i Posaçëm i Apelit. Por sipas tij, një tjetër organ kompetent për këtë është edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. “Kjo është një vendimmarrje e KPK dhe KPA. Duhet të shprehen këto dy organe për hetim të mëtejshëm ose jo. Deri tani këto organe nuk janë shprehur. Një tjetër organ që ka kompetencë të shprehet është edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Sepse këtë kompetencë nuk e ka as Struktura e Posaçme Antikorrupsion as Prokuroria, asnjë, por vetëm organet e rivlerësimit dhe Inspektorati”, tha Sajmir Vishaj. Por në të njëjtën linjë ishte edhe juristi Genc Gjokutaj, i cili në reagimin e tij për gazetën u shpreh se komisionet e vetingut janë ata të cilët duhet të vendosin për të ngelurit në veting nëse duhet të hetohen apo jo. Sipas Gjokutajt, organet kompetente duhet të hetojnë nëse përputhet pasuria e tyre me deklarimin e një rroge shteti. “Ky problem mbetet hap pas hapi. Në momentet që komisionet e vetingut bëjnë moskonfirmimin në detyrë ata janë juristë dhe duhet të shikojnë nëse ka elementë të veprës penale, apo korrupsioni. Ata duhet të jenë personat të cilët duhet ti bëjnë një relacion prokurorisë, e cila pastaj të shqyrtojë aktet dhe të vërtetojë nëse kemi të bëjmë me vepër penale apo jo. Ata kanë shkarkuar edhe për shkak të një shume 5 milionë lekë të vjetra të pajustifikuar për mungesë të një dokumentacioni. Por nëse flitet për prona të paluajtshme, në kushtet kur gjyqtaria qenë me një rrogë shteti, dhe ka një disproporcion ekstrem të asaj që ai ka fituar dhe të asaj që ai disponon”, u shpreh juristi Genc Gjokutaj në reagimin e tij për gazetën “SOT”.








































