Ministra, deputetë, zv/ministra, anëtarë të KQZ dhe disa këshilltarë kanë përfunduar në prokurori për fshehje pasurie. Teksa Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit ka nisur të funksionojë dhe sinjalet se shumë pushtetarë do të përfundojnë pas hekurave po rriten, janë shtuar rastet e zyrtarëve që po tentojnë të fshehin pronat miliona euro. ILDKP shumë shpejt pritet të publikojë raportin vjetor me të dhënat e plota, por janë amerikanët ata që kanë zbardhur të dhënat e vitit që lamë pas. Të mërkurën u publikua raporti i Departamenti Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, ku një hapësirë i është kushtuar dhe deklarimit të pasurisë. Në raport tregohet se ka shumë zyrtarë të lartë që kanë fshehur pasuritë gjatë vitit 2019. “ILDKPKI raportoi se deri në gusht kishte referuar 60 çështje të reja për ndjekje penale, duke përfshirë 12 anëtarë të Parlamentit, katër ministra dhe zëvendësministra, gjashtë kryetarë bashkie, një anëtar të KQZ-së, 17 drejtorë të përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të përgjithshëm të agjencive publike, katër këshilltarë për ministra dhe anëtarë të Parlamentit, një gjyqtar dhe 15 zyrtarë të tjerë të qeverisë, me akuza ku përfshiheshin edhe refuzimi i deklarimit, fshehja ose falsifikimi i deklaratave të pasurive, pastrimi i parave, evazioni i taksave, falsifikimi i dokumenteve dhe korrupsionit. Deri në gusht, ILDKPKI gjobiti 39 individë për mos deklarimin e pasurive të tyre, konfliktit të interesit ose për shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit. Gjykatat në përgjithësi kanë mbështetur gjobat e kërkuara nga ILDKPKI”, thuhet në raportin e DASH. Pra sipas të dhënave të nxjerra nga amerikanët, ka plasur fshehja e pasurive nga zyrtarët e lartë në vend. Interesant është fakti se janë të përfshirë dhe deputetë. Ndërkohë burime të gazetës thanë nga ILDKP se mes 12 anëtarëve të Parlamentit ka dhe përfaqësues të atyre që dogjën mandatet, pasi deklarimet e tyre janë bërë para se të dorëzoheshin mandatet.
Rreziku nga SPAK
Një pjesë e madhe e zyrtarëve të mësipërm rrezikojnë të shkojnë për ndjekje penale te Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Sipas ligjit për organet e luftës ndaj të korruptuarve, çdo akuzë ndaj ministrave, zv/ministrave dhe deputetëve duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit. Nga ana tjetër, drejtorët dhe prokurorët apo gjyqtarët e thjeshtë do të hetohen nga prokuroritë e rretheve. Duhet theksuar se SPAK është duke punuar me shumë dosje voluminoze korrupsioni, por e gjitha po bëhet në sekret të kotë. Mes këtyre dosjeve ka dhe zyrtarë të lartë të cilët akuzohen për fshehje të pasurisë. Të kallëzuarit e ILDKP akuzohen për disa vepra penale dhe nëse SPAK funksionon, ndaj tyre duhet të ketë dhe sekuestrim pasurie. Amerikanët në raportin e tyre kanë kërkuar që të ketë më shumë goditje ndaj korrupsionit, sidomos në nivele të larta.
Lufta ndaj korrupsionit
Në raportin e DASH si problematikë shihet lufta ndaj korrupsionit. Sipas tyre, duhet të ketë goditje në nivele të larta. “Disa agjenci qeveritare hetuan rastet e korrupsionit, por burimet e kufizuara, rrjedhjet e informacionit, presioni politik dhe një sistem i caktimit të rastësishëm penguan hetimet. Në raste selektive që përfshijnë aktorë ndërkombëtarë, agjencitë antikorrupsion bashkëpunuan me shoqërinë civile. Midis Janarit dhe Qershorit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 63 hetime të reja për korrupsionin. Gjatë së njëjtës periudhë, 34 individë u dënuan me akuza korrupsioni dhe filluan gjyqet kundër 51 personave shtesë. Departamenti i Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit kishte hetuar 29 raste, duke rezultuar në 115 masa administrative dhe 153 disiplinore”, thuhet në raport.









































