Bashkia e Durrësit ka marrë vendimin për të pezulluar transportin publik deri në një njoftim të dytë.
Të njëjtin vendim mori edhe Bashkia e Tiranës ditën e djeshme, duke pezulluar transportin publik në Tiranë.
Këto masa merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, nga i cili u shënua edhe viktima e parë në vendin tonë ditën e djeshme.
Njoftimi i Bashkisë Durrës:
Në vijim të masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID 19, Bashkia Durrës njofton qytetarët se prej datës 12 mars, do të pezullohet shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.
Prej orës 08.00 të datës 12 mars, këto linja do të ndërpriten deri në një njoftim të dytë:
– Shërbimi i transportit qytetas (linjat brenda qytetit të Durrësit)
– Shërbimi i transportit rrethqytetas, (linjat që lidhin qytetin me njësitë administrative ish-komuna)
– Shërbimi i transportit ndërqytetas ushqyes (linjat që lidhin bashkinë Durrës me bashkinë e Krujës dhe bashkinë e Shijakut)
Bashkia Durrës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për pezullimin e përkohshëm të shërbimit të transportit publik, si një masë të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e COVID 19.









































