Në ditën e katërt nga data kur në Shqipëri doli zyrtarisht rasti i parë me koronavirus, aktualisht në spitalin e Infektivit qëndrojnë 5 pacientë. Në një lidhje direkte për ‘News24’ Erjon Skëndaj deklaroi se në spital po ashtu ndodhen dhe dy persona që dyshohet se mund të jenë prekur nga COVID-19.
“Aktualisht në spitalin infektiv janë 5 të shtruar dhe 2 të dyshuar. Nga 15 raste, një prej të cilëve ka ndërruar jetë. Ndërsa në informacionin e ministisë që i përket 16 orëve më parë thuhet se janë 4 të shtruar. 3 prej rasteve nuk kanë lidhje me pacientët e tjerë”, tha Skëndaj.
Skëndaj raportoi se pak më herët në ambientet e jashtme të këtij spitali, që tashmë është kthyer në një karantinë, ishte krijuar një situatë ‘kaotike’ pasi policia u vu në lëvizje të personave që mund të kishin hyrë brenda rrethimit. Sipas gazetarit, kishte dyshime që persona të paautorizuar kishin hyrë brenda rrethimit me hekura, që është vendosur prej disa ditësh në këtë spital.









































