Italia është deri tani shteti europian më i prekur nga koronavirusi i ri me 10.590 raste pozitive të infektuarish, pra 2.076 më shumë sesa të martën, ndër të cilët 1.045 janë shëruar, ndërsa viktimat kanë arritur në 827. Në Lombardi ka pasur 149 vdekje brenda 24 orëve ndërkohë që numri total i këtij rajoni ka shkuar në 617. Këshilltari Rajonal për Mirëqenien e rajonit të Lombardisë, Giulio Gallera është shprehur se kjo është rritja më e lartë ditore në Lombardi që prej fillimit të situatës së emergjencës. Ndërkohë që një video mesazh është shpërndarë nga Presidentja e Komisionit Europian në mbështetje të të gjithë italianëve. “Ne jemi të gjithë italianë”, thotë Ursula von der Leyen. “Në Europë ne po e ndjekim me shqetësim, por edhe me respekt të thellë dhe admirim atë që ju po bëni. Të dashur italianë, në këtë moment të vështirë, dua t’ju them se nuk jeni vetëm”, shprehet ajo. Lajmi i parë i mirë për Italinë vjen nga zona e Codognos në provincën e Lodit, Lombardi, e cila është zona e parë e prekur nga koronavirusi. Dita e djeshme ka shënuar ditën e parë që nga shpërthimi i koronavirusit në Itali, që nuk është shënuar asnjë i infektuar nga Covid19. “Jemi shumë të lumtur për këtë dhe është një rezultat shumë i mirë”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Codognos. Condogno ka qenë pikënisja e përhapjes në Itali duke shënuar të parin të prekur më 22 shkurt. Ndërkohë që qeveria italiane ka vendosur që 25 miliardë dollarë do të përdoren për të mbështetur ekonominë. Kjo shumë do të ndihmojë familjet, bizneset dhe punëtorët.
Reagon qeveria
Ministri i Ekonomisë së Italisë, Gualtieri është shprehur se asnjë nga të izoluarit nuk do të ngelet i papunë pas kalimit të situatës. “Askush nuk do ta humbasë punën prej koronavirusit”, ka thënë ai. Giuseppe Conte në konferencën për shtyp ka shpjeguar se shuma do të përdoret për mbështetjen e familjeve, bizneseve dhe punëtorëve. Ai sqaroi se është “një shumë e jashtëzakonshme që të përdoret plotësisht menjëherë, por do të përdoret për të përballuar të gjitha vështirësitë e këtij momenti”. Kryeministri theksoi më pas se ekziston një atmosferë e shkëlqyer bashkëpunimi me liderët europianë, me të cilët do të punohet në koordinim, madje Conte tha se do të dërgohen shkencëtarë italianë në mënyrë që të krijohet një task forcë europiane për të promovuar kërkimin dhe për të luftuar emergjencën. Gjithsesi zyrtarët italianë i janë drejtuar BE duke nënvizuar se nuk duhet vetëm fleksibilitet, por nevojiten stimuj. Qeveria italiane beson se BE duhet t’i përgjigjet urgjencës aktuale jo vetëm duke përdorur fleksibilitetin e brendshëm të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes, por edhe me një paketë fiskale për të stimuluar, koordinuar e përqendruar në objektivat e përbashkëta.
Frymë shprese
Instituti i Lartë i Shëndetit të Italisë ka deklaruar se në rajonet e tjera ka pasur një ulje të numrit të të infektuarve, por kjo nuk do të thotë sipas tyre se italianët duhet të mashtrojnë veten dhe ta marrin situatën më lehtë seç është në të vërtetë. Silvio Brusaferro, president i Institutit të Lartë të Shëndetit, theksoi se kthesa e situatës nuk mund të arrihet brenda një dite “Ne jemi në betejë të plotë. Miratimi i mjeteve dhe rekomandimeve shërben për të siguruar që kulmi i kurbës së rasteve të reja të ulet: nëse mund të ndërpresim ose ngadalësojmë zinxhirin e transmetimit të virusit, i cili mund të bëhet duke marrë masat e rekomanduara, nuk do të ketë maja dhe strukturat do të jenë në gjendje, edhe me një mbingarkesë, të garantojnë ndihmë”, siguroi Brusaferro. Asnjë rast i infeksionit prej epidemisë së koronavirusit që po përhapet në Itali nuk ka të bëjë direkt me Kinën. Tre personat e sëmurë të parët, dy turistë kinezë dhe një italian që u kthye nga qyteti i Wuhan i infektuar në fakt u izoluan menjëherë dhe nuk ia transmetuan sëmundjen askujt.
Nga një studim i Instituti i Lartë i Shëndetësisë në Itali ka edhe një konfirmim tjetër të faktit që Covid-19 kishte qarkulluar në Itali edhe më parë se të konstatoheshin tre rastet e para, kur edhe problemi shpërtheu në Codogno dhe ku pozitivët e testuar ishin tashmë të brezit të dytë ose të tretë të sëmurë.









































