Google search engine
Home Politike Nuk ndalet Ilir Meta, kalon në heshtje 2 ligje të qeverisë dhe...

Nuk ndalet Ilir Meta, kalon në heshtje 2 ligje të qeverisë dhe kërcënon sërish me “Pranverën shqiptare”

0
430

Thellohen përplasjet mes presidentit Ilir Meta dhe qeverisë. Edhe pse Shqipëria është përfshirë nga paniku dhe ankthi për shkak të koronavirusit, presidenti Meta nuk ka ndërmend të tërhiqet nga lufta me kryeministrin Edi Rama. Ditën e djeshme janë botuar në Fletoren Zyrtare ligji për “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar” dhe ai “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar”. Por ndryshe nga ligjet e tjera, ku Meta shprehet me dekret, për këto dy ligje kreu i shtetit i ka kaluar në heshtje, duke injoruar kështu qeverinë. Kujtojmë që, ligji për shpronësimet synon të rregullojë procedurën e shpronësimit, me synim planifikimin, si dhe përqendrimin e kompetencave të institucionit përgjegjës, ndërsa ligji për të huajt synon disa ndryshime në politikën e vizave për të huajt, në kuadër të liberalizimit dhe de-rregullimit të të gjitha procedurave, duke mundësuar lëshimin e vizave elektronike online, duke treguar se ato nuk cenojnë interesat e presidentit. Por përmes injorimit duke i kaluar në heshtje, presidenti Ilir Meta duket se po përdor çdo mundësi për të sulmuar qeverinë.

Meta kërcënon sërish me “Pranverë shqiptare”

Por teksa e gjithë Shqipëria gdhihet e ngryset me sytë nga mediat, për të mësuar sesi do të shkojë fati i epidemisë se përbotshme të koronavirusit, presidenti Ilir Meta ka gjetur dje kohën për të sulmuar qeverinë përmes një mesazhi të koduar të shpërndarë në rrjetet sociale. Më konkretisht, mëngjesin e djeshëm presidenti Meta e ka nisur me një foto pranë një peme që sapo ka çelur lulet e para, ndërsa ka kërcënuar sërish me “Pranverën shqiptare”. “Lulet po shtohen! Pranvera nuk ndalet”, shkruan ai. Pra, edhe në këtë rast, presidenti Ilir Meta vijon t’i tregojë muskujt mazhorancës qeverisëse, duke e kërcënuar dhe thelluar luftën me të, ndonëse Shqipëria dhe Europa janë nën ethet e epidemisë më të keqe që mbahet mend. Mirëpo, nuk ndalet me kaq, pasi presidenti Ilir Meta duket se po e sfidon qeverinë edhe në lidhje me masat me koronavirusin. Pasi kryeministri Edi Rama mori vendim që të ngrejë Task-Forcë për epideminë qysh disa ditë më parë, nga ana tjetër edhe presidenti Meta e ka ngritur një të tillë në Presidencë, me qëllim përballimin e situatës së krijuar me koronavirusin. Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi njoftoi dy ditë më parë përmes një statusi në rrjetet sociale se tanimë Task-Forca presidenciale është ngritur, ndërsa theksoi se në dispozicion të qytetarëve janë vënë edhe dy numra telefoni. “Në kuadër të përballimit dhe tejkalimit me pasoja sa më të lehta të pandemisë së koronavirusit që ka prekur vendin tonë, duke patur prioritet absolut shëndetin e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, në institucionin e Presidentit të Republikës është ngritur një Task Force, nën drejtimin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Bahri Shaqiri, me qëllim: Monitorimin në terren, nxitjen dhe marrjen e të gjithë masave institucionale për përballimin e kësaj pandemie. Ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë shqetësime, nuk marrin trajtimin e duhur mjekësor, nuk u kushtohet vëmendja e duhur dhe konstatojnë nënvlerësime në marrjen e masave të domosdoshme, të na kontaktojë pa hezitim në adresën e email të vendosur në dispozicion: taskforce@president.al, si dhe në dy numrat celularë:00355693435861dhe 00355693354269”, shkruan zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here