
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi vendimin, ku evidentohen shkaqet që “detyruan” trupën që të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Marsela Balili. Hetimi për këtë të fundit përfundoi vetëm për kriterin e pasurisë, dhe gjetje u konstatuan në mospërputhje të deklarimit, mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë apartament në Tiranë, blerë 125 mijë euro. Lidhur me konstatimin se ka mospërputhje të deklarimit, gjyqtarja Marsela Balili pasi iu kalua barra e provës, dha argumentet. “Aktmarrëveshja e lidhur në datën 12.12.2007, për vlerën 130.000 euro, e parashikuar për t’u finalizuar në vitin 2010, në të vërtetë u finalizua në vitin 2012 dhe në vlerë 5.000 euro më të ulët nga parashikimi, pra, 125.000 euro”. Shoqëria “***” sh.p.k., deklaron se në kontratën e porosisë dhe në kontratat e shitjes nuk ka mospërputhje në sipërfaqe, pasi shkallët dhe pjesët e përbashkëta në kontratën e porosisë janë funksionale dhe të hipotekuara në kontratat e shitjes”, shkruhet në vendim, referuar argumentit të Balilit. Gjithashtu, për konstatimin se Balili nuk ka mospërputhjet për blerjen dhe kryerjen e pagesave të apartamentit, Komisioni arriti në përfundimin se shpjegimet e gjyqtares nuk qëndrojnë. “Në lidhje me mosdeklarimin e porositjes së këtij apartamenti në deklaratën periodike vjetore të vitit 2007 e në vijim, Komisioni çmon se shpjegimet e subjektit në lidhje me këtë mosdeklarim nuk qëndrojnë, për shkak se subjekti i rivlerësimit duhet të kishte deklaruar në 11 deklaratën e interesave private periodike si aktmarrëveshjen edhe këstin e parë të paguar nga kredia”, thuhet në vendim. Për konstatimin mosdeklarim të kësteve të pagesës së apartamentit në Tiranë, Komisioni arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar saktë dhe në përputhje me ligjin, interesat private ndër vite në lidhje me apartamentin e porositur, këstin e parë të paguar dhe kredinë e përdorur për pagimin e këstit të parë. Në argumentet e depozituara nga gjyqtarja, nuk ka arritur të provojë të kundërtën e gjetjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.









































