Personat me rekorde kriminale vijojnë të tentojnë të bëhen pjesë e politikës. Edhe pse prej disa vitesh ka pasur shumë akuza për futjen e të dënuarve në pushtetin vendor dhe Parlament, duket se tentativat nuk ndalen. Gazeta ka siguruar raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019, ku jepen detaje mbi gjetjet sa i takon dekriminalizimit. Sa i takon zgjedhjeve të qershorit, bëhet me dije se janë identifikuar plot 277 kandidatë në këshillat bashkiakë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për vepra të ndryshme penale. “Për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019, 36 subjekte politike dhe kandidatë të pavarur, depozituan listat shumemërore të kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë në total 10.153 kandidatë, prej të cilëve 5.189 meshkuj dhe 4.946 femra. Nga verifikimet kanë rezultuar të dënuar me vendime gjyqësore penale 277 kandidatë. Nga të cilët, 236 prej tyre nuk kishin deklaruar dënimet e mëparshme. Përgjatë verifikimit të tyre, KQZ u ka refuzuar kandidimin 11 kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë për shkak se u verifikuan kushtet e moskandidimit para procesit të pranimit të kandidaturave. Kolegji Zgjedhor ka shpallur faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për 4 kandidatë fitues, pasi kushtet e ndalimit u konstatuan pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes se rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në raportin e KQZ.
Deputetët e dënuar
Përveç anëtarëve të Këshillave Bashkiakë, të dënuar ka dhe mes deputetëve. KQZ ka bërë me dije se pas verifikimeve ka zbuluar se dënimet e tyre kanë kaluar afatet e ndalimit të kandidimit ose nuk bëjnë pjesë te lista e dënimeve të parashikuara në ligj. “Nga verifikimi i dokumentacionit për 46 kandidatët për deputet (formularit të vetëdeklarimit, vërtetimit të gjendjes gjyqësore dhe të gjendjes civile), rezultoi se: 5 prej kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, që i përkisnin gjinisë mashkullore, ishin dënuar me burgim me vendim të formës së prerë. Kandidatët të cilët rezultuan me dënime me burgim me vendim të formës së prerë, referuar nenit 2 të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit, informacionit të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, nuk përfshiheshin në kushtet e ndalimit të zgjedhjes në funksionin e deputetit, sipas këtij ligji. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë vitit 2019, ka administruar dhe ka verifikuar formularët e vetëdeklarimit për 4 anëtarë të Këshillit të Ministrave”, thuhet në raport.
Kajmaku dhe Pjetri
Në raport përmendet dhe largimi i fituesit të zgjedhjeve në Shkodër, Valdrin Pjetri dhe kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. “Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të dy funksionarët nuk kishin deklaruar në formularin e vetëdeklarimit ndalime, hetime, masa sigurimi personal në fuqi, dënime nga autoritetet e huaja gjyqësore. Përkatësisht z. Agim Kajmaku nuk kishte deklaruar se në momentin e kandidimit ndaj tij kishte një masë sigurie/urdhër arresti në shtetin grek dhe në vendet e BE-së, ndërsa z.Valdrin Pjetri nuk kishte deklaruar dënimin dhënë nga autoritetet gjyqësore italiane me 18 muaj burg për veprën penale të “Mbajtjes së paligjshme të lëndëve narkotike”. Subjektet nuk e kishin deklaruar këtë informacion, dhe pse kishin patur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit dhe konkretisht në pikën 3 të formularit”, thuhet më tej në raport.








































