Në këto ditë të zeza për Italinë, Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë disa rekomandime për ata që janë të prekur nga Covid-19, dhe që janë në izolim shtëpiak, për familjarët e tyre, por që vlejnë dhe për shumë të tjerë jashtë këtij shteti që tashmë është thuajse i gjithi në karantinë.
Personi i dyshuar apo me infeksion të evidentuar duhet të qëndrojë larg familjarëve, nëse është e mundur, në një dhomë më vete të ajrosur mirë dhe nuk duhet të ketë vizita.
Ata që e asistojnë duhet të jenë në shëndet të mirë dhe mos të kenë sëmundje që e vënë në rrezik prekjeje.
Anëtarët e familjes duhet të qëndrojnë në dhoma të tjera, ose, nëse nuk është e mundur, të mbajnë të paktën 1 metër largësi nga personi i sëmurë dhe të flenë në krevate të ndryshëm.
Kush asiston të sëmurin duhet të mbajë maskë kirurgjikale të pozicionuar mirë në fytyrë kur ndodhet në të njëjtën dhomë. Nëse maska është e lagur apo e ndotur nga sekrecionet është e nevojshme të ndërrohet menjëherë dhe të lahen duart pasi të jetë hequr.
Duart duhen larë me ujë e sapun ose të bëhen me solucion hidroalkoolik pas çdo kontakti me të sëmurin, ose me ambientin që e rrethon, para dhe pasi të jetë përgatitur ushqimi, para se të hahet, pas përdorimit të banjës.
Duart duhen fshirë me letra që më pas të hidhen. Nëse nuk është e mundur, të përdoren peshqirë të personalizuar dhe të zëvendësohen sa herë që janë të lagur.
Kush asiston të sëmurin duhet të mbulojë gojën dhe hundën kur kollitet ose teshtin, përmes një letre, mundësisht njëpërdorimshme, ose bërrylin dhe më pas duhen larë duart.
Nëse nuk përdoren letra njëpërdorimshme, laheni shaminë e përdorur sapun ose detergjent normal me ujë.
Evitoni kontaktin direkt me lëngjet trupore, në veçanti sekrecionet orale apo të frymëmarrjes, feçet dhe urinën, duke përdorur doreza njëpërdorimshme.
Të përdoren kosha që hapen me pedale, në dhomën e të sëmurit, për të hedhur doreza, letra, maska dhe mbeturina të tjera.
Veshjet e ndotura të vihen në një qese duke përdorur doreza. Mos e lëvizni shumë, për të evituar kontaktin e drejtpërdrejtë me lëkurën.
Mos ndani me të sëmurin të njëjtën furçë dhëmbësh, cigare, takëme kuzhine, peshqirë, çarçafë dhe jastëkë.
Të pastrohen përditë sipërfaqet e mobilieve të dhomës së të sëmurit, banja me një dezinfektues normal shtëpie, ose me produkte me bazë klori me 0.5% përqendrim klor aktiv, ose me 70% alkool, duke përdorur doreza dhe veshje mbrojtëse.
Të përdoren maska kur ndërrohen çarçafët e shtratit të të sëmurit.
Veshjet e të sëmurit të lahen në 90 gradë në lavatriçe me një ilaç normal.
Nëse një anëtar i familjes shfaq simptomat e para të një infeksioni respirator akut (temperaturë, kollë, dhembje fyti dhe vështirësi në frymëmarrje), kontaktoni mjekun, ose Urgjencën.
Evitoni transportin publik për të shkuar në strukturat shëndetësore, njoftoni ambulancën, ose e transportoni të sëmurin me një makinë private. Hapni dritaret gjatë transportit.
Personi i sëmurë duhet të mbajë maskë kirurgjikale për të shkuar në strukturën mjekësore dhe të mbajë distancën të paktën 1 metër nga personat e tjerë.
Çdolloj sipërfaqe e ndotur me sekrecione respiratore apo lëngje trupore gjatë transportit duhet të pastrohet dhe dezinfektohet duke përdorur një dezinfektues shtëpie me përmbajtje klori me 0.5%, ose alkooli 70%.








































