
Vetingu po ecën me hapa të mëdha muajt e fundit. Javën që vjen, trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pritet të zhvillojë plot 4 seanca dëgjimore. E hëna e 9 marsit do të nisë me gjyqtarin e Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj, i cili do të gjykohet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja, Xhensila Pine. Kujtojmë se Petrit Aliaj ishte një nga gjyqtarët që firmosi pranimin e kërkesës së Dritan Dajtit, për gjykim të shkurtuar, duke i dhuruar atij ulje të dënimit të përjetshëm në 25 vite burg. Një ditë më pas, të martën e 10 marsit, Komisioni i Kualifikimit do të zhvillojë seancë dëgjimore për kryeprokurorin e Apelit të Gjirokastrës, Gjon Fushaj. Të mërkurën do të zhvillohet seanca e dytë dëgjimore për kryegjyqtaren e Kavajës, Entela Shedula. Seanca e parë u mbajt më 30 janar të këtij viti, por një ditë më pas Komisioni njoftoi se ka riçelur hetimin për kryegjyqtaren, duke e shtyrë seancën për disa javë. Të enjten e 12 marsit do të zhvillohet seanca për gjyqtarin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Bib Ndreca. Në seancën e parë dëgjimore, gjyqtari nuk e lejoi relatoren që të nisë relatimin, duke deklaruar se atij i është mohuar koha e mjaftueshme për tu përgatitur me mbrojtjen. Ndreca gjithashtu në seancë u shpreh se dokumentet që i ka dorëzuar pranë Komisionit pasi iu kalua barra e provës, nuk ishin marrë parasysh në analizën financiare. Në kuadër të kësaj ankese, ai i kërkoi trupës së Komisionit që t’i jepte kohë të përgatisë mbrojtjen. Gjithashtu, gjyqtari i kundërshtoi vendimin që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë për të mbyllur hetimin e tij vetëm për kriterin e pasurisë, duke i kërkuar që të nisë hetimin edhe për kriterin e figurës dhe aftësive profesionale. Një javë me shumë zhvillime është planifikuar edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku pritet të vuloset fati i dy zyrtarëve të drejtësisë. Më 12 mars, trupa e Kolegjit do të japë vendimin përfundimtarin për prokurorin e Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj. Ndërsa një ditë më pas, 13 mars, trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, do të japë vendimin edhe për prokurorin Adnand Kosova. Gjithashtu, në kalendarin e Kolegjit është planifikuar një seancë në dhomë këshillimi për prokurorin e Tiranës, Shpëtim Kurti, i cili u shkarkua nga KPK në nëntor të vitit 2018, pas gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe të figurës.