Borxhet e energjisë, 58 familje dhe 8 mijë biznese mundësi pagese me këste, ja kush përfiton

0
413

OSHEE ka ofruar për të gjithë debitorët skema lehtësuese për të paguar me këste detyrimet e prapambetura të energjisë, por edhe mundësinë për reduktim të kamatëvonesës. Ditën e djeshme Drejtori i Divizionit Tregtar te OSHEE, Elton Sevrani, deklaroi gjatë një interviste televizive se me skemën e re rreth 58 mijë abonentë familjarë dhe 8000 biznese do të mund të shlyejnë me këste borxhet e akumuluara për energjinë elektrike. Sipas Sevranit, Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është një nga kompanitë e krijuara nga ndarja e OSHEE ka riaktivizuar skemat lehtësuese, ndërkohë ai bëri të ditur për të gjithë të interesuarit se akt marrëveshja do të përfshijë borxhet e mbledhura deri në datën 31 dhjetor 2018. “Pagesë për klientët familjarë më 12 këste mujore prej një vlere 1200 lekë, për klientët e biznesit 2800 lekë për të gjitha detyrimet deri në 31 dhjetor 2018. Të gjithë detyrimet deri në 31 dhjetor përfshihen në akt marrëveshje, ndërsa detyrimet e 2019 duhen paguar 100%”, tha Sevrani. Më tej drejtori i Divizionit Tregtar i OSHEE sqaron se lidhur me faturat e papaguara gjatë vitit 2019, ky institucion ka parashikuar dhe hartuar një skemë të re. Ai tha se kjo skemë përfshin disa raste të veçanta faturimi, të ashtuquajtura fatura sistemuese. Në këto raste përfitojnë ata abonentë që janë faturuar njëkohësisht për të gjitha vlerat e pafaturuara më parë, ose janë faturuar gabimisht për shkak të gabimeve teknike të matësve. “Ato duhet të paguhen 100% përveç atyre rasteve kur kemi të bëjmë me fatura sistemuese që nuk janë konstatuar në një konsum real të muajit koherent, këto i bëjmë me raste të tilla kur për shkak të sistemit të matjes apo për shkak të problemeve teknike kur klienti është faturuar për të gjithë sasinë e pafaturuar përgjatë një viti koherent”, deklaroi Elton Sevrani.

Kamatëvonesat dhe rastet e veçanta

Pritshmëritë e OSHEE për këtë nismë janë që, nga riaktivizimi i aktmarrëveshjeve për shlyerjen me këste të borxheve të arrihet rikuperimi total i të ardhurave të kompanisë për një periudhë 5-vjeçare. Ndër të tjera bëhet e ditur se, Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka miratuar këto paketa lehtësuese, jo vetëm në pagesën me këste të detyrimit, por edhe mundësinë e uljes së masës së kamatëvonesës. Kështu, skema për familjarët parashikon ndarje të kësteve në mënyrë të barabartë, në varësi të shumave. Në rast se familjari e paguan të gjithë detyrimin njëherësh, i ulet kamatëvonesa. Ky detyrim sistemohet dhe bashkohet me detyrimet e mëparshme, duke krijuar një shlyerje me këste me reduktim të përqindjes për ata persona që kanë një status të veçantë, siç janë pensionistët, invalidët, të verbrit. Në skemën e re bëhet e qartë se, nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, OSHEE nuk do të llogarisë më kamatë vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit. Kompania do të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria. Të gjithë ata subjekte që duan të jenë përfitues të masave lehtësuese duhet të aplikojnë pranë sporteleve me mbajtësin e kontratës, në të kundërt duhet autorizim me shkrim për hyrjen në AKM. Duhet kartë ID e mbajtësit të kontratës; kartë ID e personit të autorizuar; ekstraktin e QKR që vërteton llojin e aktivitetit sa më lart; kopje e kontratës së pikës së lidhjes për vërtetimin e mënyrës së lidhjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here