Google search engine
Home Ekonomi Ligji i pronave, zbardhen amendamentet e minutës së fundit, ja cilat ndërtesa...

Ligji i pronave, zbardhen amendamentet e minutës së fundit, ja cilat ndërtesa të palegalizuara do të përfitojnë nga nisma e mazhorancës

0
440

Zbardhen amendamentet e minutës së fundit për ligjin e pronave. Para seancës plenare, kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla bëri një propozim për amendim, i cili është siguruar nga gazeta, ku kërkoi ndryshimin e nenit 69, pika 9 e cila ka të bëjë me procedurat e legalizimit të banesave janë pa legalizuar. Në draftin që shkoi për votim në seancë plenare, në nenin 69 pika 9/a theksohej se certifikatë pronësie do të përfitojnë vetëm ata individë të cilët kanë përfunduar strukturën e ndërtesës deri në datën që ky ligj hyn në fuqi. “Objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, që nuk evidentohen në ortofoton sipas pikës 1, të nenit 17, të këtij ligji, trajtohet nga ASHK-ja, nëse plotësohen këto kushte: a) ndërtimi të jetë përfunduar në strukturë deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhej në ligj. Por me amendimin e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u bënë ndryshime thelbësore për ndërtesat e palegalizuara që do të përfitojnë. Me këtë amendim, është zgjeruar më shumë objekti i përfituesve, ku certifikatë pronësie do të përfitojnë të gjitha objektet, edhe ata që janë në shkelje me lejet e ndërtimit, e deri tek aktivitetet bujqësore dhe blegtorale. “Në nenin 69, pika 9 riformulohet si më poshtë vijon: Ndërtimet pa leje, që janë përfunduar në strukturë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndonëse nuk evidentohen në ortofoton sipas pikës 1, të nenit 17, të tij, trajtohen nga ASHK-ja. Sipas rregullave të seksionit I të kreut III, nëse janë: Objekte, shtesa pa leje në ndërtim të regjistruar, objekte me shkelje të lejes së ndërtimit, me funksion banimi ose në funksion të aktivitetit bujqësor apo blegtoral, ndërtuar në fshat”, thuhet në amendimin e Ballës, i miratuar. Po ashtu u ndryshua edhe neni 69, pika 9/b. Në ligj theksohej se legalizim do të përfitonin ato ndërtesa, ndaj të cilave nuk është vendosur më parë për prishje apo konfiskim. “Të mos jetë vendosur më parë prishja apo konfiskimi, sipas ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, t ndryshuar, ose këto dënime të jenë parashkruar sipas nenit 46, të ligjit nr. 10 279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”. Rregullat e bashkërendimit të punës ndërmjet ASHK-s dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, për zbatimin e kësaj pike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në ligj. Ndërsa në amendimin e Ballës theksohet se do të përfitojnë certifikatë pronësie edhe ato objekte banimi të cilat kanë qenë në shkelje me lejen e ndërtimit. “Objekte me shkelje të lejes së ndërtimit apo shtesa në ndërtime te regjistruara, nëse për to nuk është vendosur më parë prishja apo konfiskimi, sipas ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, ose këto dënime janë parashkruar sipas nenit 46, të ligjit nr 10 279, date 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, Rregullat për zbatimin e kësaj pike dhe evidentimin e ndërtimeve pa leje përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në amendimin e Ballës.

Procedurat për ndërtimet pa leje

Por në ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” që u miratua të enjte në seancë plenare janë evidentuar edhe kalimi i pronësisë për ndërtimet pa leje. Në nenin 16 theksohet se ASHK krijon një bazë të të dhënave për të gjitha ndërtimet që janë pa leje, në të cilën pasqyrohen aplikimet që kanë bërë qytetarët për legalizim të banesës. “Agjencia SHK krijon bazën e të dhënave të ndërtimeve pa leje ku pasqyrohen aplikimet për legalizim. Baza e të dhënave për ndërtimet pa leje plotësohet me të dhënat që mblidhen sipas neneve 17 e vijues të këtij seksioni. Çdo subjekt ka të drejtë të pajiset me ekstraktin përkatës nga baza e të dhënave për aplikimin e paraqitur; Përmbajtja e bazës së të dhënave, mënyra e plotësimit, përpunimit të të dhënave, si dhe lëshimi i ekstrakteve, si dhe mënyra e ndërveprimit të saj me bazat e tjera të të dhënave shtetërore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në nenin 16.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here