Google search engine
Home Politike Hetimi i të ngelurve në veting dhe skanimi i pushtetarëve, qeveria fut...

Hetimi i të ngelurve në veting dhe skanimi i pushtetarëve, qeveria fut në lojë ILDKP, gati vendimi për procedurat e reja të deklarimit të pasurisë

0
394

Qeveria pritet që të ndryshojë mënyrën e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë shtetërorë. Prej gati më shumë se dy vitesh Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave po punon për ndërtimin e një sistemi online, ku do të hidhen të gjitha të dhënat e deklarimit të pasurisë nga politikanët tek njerëzit e drejtësisë. Gazeta ka siguruar planin e vendimit që do të miratojë qeveria këtë vit dhe pritet që brenda katër mujorit të parë të miratohet një vendim, i cili do të përcaktojë mënyrën e re të deklarimit të pasurisë. Bëhet fjalë për ngritjen e një sistemi online, ku do të jenë publike të gjitha pronat e zyrtarëve. Ndërkohë, që gazeta ka kërkuar informacion nga ILDKPI mbi mënyrën se si po ecën puna dhe duket se gjithçka është gati. Kështu, në dokument thuhet se fondet janë vënë në dispozicion nga qeveria dhe se shumë shpejt sistemi do të jetë funksional. “Megjithë angazhimin e marrë nga ILDKPKI, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar përfundimin e të gjitha fazave të nevojshme për ngritjen dhe vënien në funksionim të sistemit të deklarimit elektronik të interesave privatë, Inspektorati i Lartë ILDKPKI, në zbatim të parashikimeve ligjore ka vijuar punën në drejtim të përmbylljes së procesit të regjistrimit të sistemit si bazë të dhënash shtetërore pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit si dhe për miratimin e aktit ligjor të krijimit të bazës së të dhënave shtetërore. Gjithashtu, për garantimin e një qëndrueshmërie të mëtejshme të funksionimit të vetë sistemit, ILDKPKI-së, ju miratuan nga Parlamenti fondet e nevojshme për realizimin e procesit të mirëmbajtjes së sistemit”, thuhet në përgjigjen e ILDKPKI.

Sistemi i ri, ILDKPKI asistencë nga SHBA

Më tej, në përgjigjen për gazetën thuhet se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të pasurive nga zyrtarët shtetërorë. “ILDKPKI, gjatë vitit 2018 si dhe gjatë periudhës vijuese janar- nëntor 2019, ka vazhduar procesin e koordinimit dhe mbështetjes me burimet e nevojshme institucionale, me qëllim finalizimin e angazhimeve të marra në kuadër të projekteve asistuese në drejtim të ngritjes së sistemit elektronik të deklarimit të interesave privatë. Inspektorati i Lartë, për ngritjen dhe funksionimin e sistemit elektronik të deklarimit të interesave privatë, është asistuar financiarisht dhe teknikisht nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për sa lidhet me pjesën e programimit të sistemit (software) si dhe nga “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, lidhur me sigurimin e pajisjeve (hardware)”, thuhet në dokument.

Vendimi i PS

Gazeta ka mësuar se për hetimin e të ngelurve në veting dhe skanimin e pushtetarëve, qeveria do të fusë në lojë sistemin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Operacioni Forca e Ligjit prek vetëm krimin, ndërkohë që kryeministri ka kërkuar që të hetohen edhe gjyqtarët e prokurorët e ngelur në veting, por edhe pushtetarët.

Kjo çështje është prekur dhe në mbledhjen e Kryesisë së PS në fillim të kësaj jave. Sipas informacioneve, mësohet se kryeministri Edi Rama është shprehur se për hetimin e pasurive të pushtetarëve dhe njerëzve të drejtësisë do të hyjë në lojë ILDKPI. Priten dy alternativa: ose të gjitha deklarimet e bëra deri më tani do të krihen dhe do kalojnë online, ose pushtetarët do të duhet të bëjnë një deklarim të plotë të të gjithë pasurive të tyre, ashtu sikundër u bë me gjyqtarët e prokurorët, në mënyrë që ajo të kalojë online. Më shumë pritet ky variant i dytë, megjithëse mbetet të shihet se si do të jetë vendimi i qeverisë, i cili do të tregojë procedurat që do ndiqen. Rideklarimi do bëjë që të dalin të gjitha aferat dhe do ketë shumë ushqim për SPAK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here