Parlamenti ka miratuar dje me 94 vota pro, 4 kundër dhe 8 abstenim ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Pasi Komisioni i Venecias e rrëzoi ligjin, por mazhoranca ka bërë ndryshime në disa nene. Përmes draftit të miratuar dje do të bëhet formalizimi i rreth 1 milion parcelave bujqësore, të cilat pronarët i kanë pa dokumente. Po ashtu, përcaktohen përfitime edhe nga ata që kanë bërë ndërtime pa leje. Në ligj është ndryshuar neni 12, në të cilin evidentohen kategoritë që përfitojnë, të cilët janë ish-punonjësit e ndërmarrjeve bujqësore, të cilët kanë pasur në përdorim një tokë që nga viti 1991 e në vitet në vazhdim. Po ashtu, një tjetër kategori përfituesish janë edhe personat të cilët nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë në zonën në të cilët ndodhet toka, si dhe ata persona të cilëve iu është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore. Një tjetër kategori e përfituesve janë edhe ata të cilët nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ndërmarrje bujqësore. Me ndryshimet e reja në këtë projektligj do të përfitojnë edhe ata persona të cilët kanë dorëzuar kërkesë pranë njësive vendore për tokat bujqësore brenda 6 muajve të hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe ata individë të cilët janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.
Procedurat që duhen ndjekur
Por për kalimin e të drejtës së pronës duhet të ndiqen edhe disa procedura të parashikuara në ligj. Në nenin 14 të ligjit bëhet me dije se kalimi në pronësi e tokës bujqësore bëhet vetëm nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës sipas një liste të përdoruesve që është miratuar me vendim të këshillit bashkiak. Po ashtu, pranë ASHK mbërrijnë nga njësia vendore kërkesat për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, të administruara sipas ligjeve në fuqi. Pas mbërritjes së këtyre kërkesave, ASHK saktëson sipërfaqen e plotë të tokës për kalim pronësie në konsultim me përfaqësues të njësisë vendore dhe më pas hartohet një listë e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore për çdo ish-kooperativë. Kjo listë më pas i kalon këshillit bashkiak për tu miratuar. “Kalimi në pronësi i tokës bujqësore bëhet nga ASHK-ja, sipas listës së përdoruesve të tokës, të miratuar me vendim të këshillit bashkiak; Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 7 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji përcjellin pranë ASHK-së kërkesat për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, të administruara sipas ligjeve nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, dhe nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, si dhe kërkesat e administruara sipas nenit 6 të këtij ligji”, thuhet në nenin 14.
Reagon Taulant Balla
Gjatë votimit, kreu i grupit të PS, Taulant Balla propozoi disa amendamente. Nga foltorja ai sqaroi ndryshimet që propozoi, të cilat u miratuan. “Legalizimin e plotë të të gjithë banesave dhe çdo lloj investimi tjetër të kryer në fshat, me qëllim që të garantojmë që të gjitha familjet që kanë në fshat të legalizohet, por bëjnë përjashtim investimet e kryera pranë veprave të infrastrukturës publike, akset kombëtare nuk do të legalizohen. Ka të bëjë edhe me territoret në investimet publike. Kush ka AMTP, prej nesër t’i gëzoni certifikatat e pronësisë, jemi 200 familje. Që keni shtëpitë para viteve 90 por nuk keni asnjë copë letër, t’i gëzoni edhe shtëpitë dhe oborret. Kush ka ndërtuar shtëpi me leje të organeve vendore. Kush ka tokën në përdorim, është pronar i tokës. Legalizohen shtëpitë në fshat. Banorët që u ka humbur ndërtuesi, ka ikur në drejtim të paditur, u legalizohet apartamenti dhe marrin certifikatën e pronësisë. Kush hyn në proces legalizimi do të trajtohet përmes politikave sociale, do të marrë një kompensim në bazë të vlerës që ka banesa. Nuk do të jetë më peng, por do të legalizohet”, tha Balla.









































