Presidenti Ilir Meta duket se ka varur shpresat tek kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sa i takon luftës që ai ka nisur me mazhorancën qeverisëse. Të martën në mbrëmje presidenti Meta zhvilloi një takim në Presidencë me kryedemokratin Basha, ndërsa gazeta ka mësuar detaje rreth atyre që janë diskutuar aty. Sipas informacioneve nga ky takim që ka zgjatur rreth 60 minuta, mësohet se në fokus kryesor ka qenë aksioni i nisur nga Meta, teksa ky i fundit ka kërkuar që Basha ta mbështesë në protestat anti-qeveritare që ka nisur. Në këtë kontest, mësohet se kreu i shtetit ka kërkuar që lideri demokrat të urdhërojë anëtarësinë dhe mbështetësit demokratë që ta mbështesin dhe t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së tij për protesta, të cilat pritet të zbresin edhe në rrethe. Por megjithatë pavarësisht kërkesës, mësohet se Basha nuk i ka premtuar presidentit se do ta mbështesë për protestat, duke u justifikuar se ai do të konsultohet me strukturat përpara se të vendosë si do të veprojë. Sidoqoftë, burime nga selia blu i pohuan gazetës se arsyeja se përse shefi i demokratëve nuk ka vendosur është fakti se ai ndihet i “kërcënuar” nga Meta, pasi zbritja e tij në sheshe dhe lëvizjet e fundit e zbehin rolin e Bashës si lider i opozitës.
Debate për “Zgjedhoren” dhe LSI
Por mbështetja për protestat nuk ishte e vetmja çështje që është diskutuar në takimin që presidentit Ilir Meta zhvilloi dy ditë më parë me kryedemokratin Lulzim Basha. Sipas informacioneve, në këtë mbledhje që është shoqëruar me debate është folur edhe për reformën zgjedhore. Mazhoranca është shprehur se miratimi i reformës do të shtrihet përtej 15 marsit, afat ky që Meta i ka lënë shumicës që të reflektojë, pasi në të kundërt ai do të përshkallëzojë aksionin kundër saj deri në shpërndaje të Parlamentit. Mësohet se kreu i shtetit i ka kërkuar Bashës që të mos pranojë që reforma të shtyhet dhe se ajo duhet të miratohet brenda 15 marsit, për të cilën ka marrë mbështetje edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Madje, mësohet se Meta ka kërkuar nga Basha që të pranojë kërkesën e tij, pasi në rast se dështon që reforma të miratohet në datën 15 mars, ai do ta përdorë atë si pretekst për të shtuar dozën e sulmeve dhe ashpërsuar aksionin kundër mazhorancës qeverisëse. Po ashtu, mësohet se presidenti i ka kërkuar llogari kryedemokratit edhe për tkurrjen e LSI, duke qenë se ishte alarmuar nga një sondazh që kishte dalë që PD dhe PS i kanë marrë elektoratin dhe militantët partisë që sot drejtohet nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Sakaq, të njëjtët burime nga mbledhja theksuan për gazetën se Meta i ka dhënë garanci kreut demokrat se ai nuk është kërcënim për të dhe se shumë shpejt vendi do shkojë në zgjedhje të parakohshme, ku padyshim që Basha do jetë kryeministër, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim do të mjaftohet me kreun e Kuvendit. Në këtë pikë, mësohet se Meta është shprehur se ai nuk synon karrigen e kryeministrit, por një mandat të dytë si President, në rast se opozita do të vijë në pushtet.
Meta sfidon PS
Por faktin se nuk synon kreun e opozitës dhe se ai do të organizojë protestat në rrethe e ka konfirmuar dje edhe vetë presidenti Meta. Ky i fundit përmes një statusi të publikuar dje në rrjetet sociale, theksoi se do të vazhdojë të jetë në detyrë deri në 24 korrik 2022 dhe deri në këtë datë shprehet se nuk synon as kryeministrin as liderin e opozitës. Madje, ai paralajmëroi se atë që bëri në 2 mars do ta bëjë në gjithë Shqipërinë. “Mos u lodhni kot me konspiracione! Jam Presidenti i Republikës dhe lider i sovranitetit dhe unitetit kombëtar, në mbrojtje të Kushtetutës. Ky është projekti im i vetëm deri në 24 korrik 2022! Nuk synoj, as për Kryeministër, dhe as për kryetar opozite deri atëherë. Por nga 2 marsi unë kam zbritur në shesh dhe do të vazhdoj shesh më shesh, në të gjithë Shqipërinë derisa të rivendosim vullnetin e sovranit në çdo institucion”, deklaroi Meta.













































