Byroja Kombëtare e Hetimit duket se do të jetë tërësisht në dorë të ndërkombëtarëve. Ndryshe nga se po ndodh me SPAK, ku kemi të njëjtët zyrtarë që ishin tek Gjykata e Krimeve të Rënda, Byroja Kombëtare e Hetimit pritet të jetë institucioni që do i japë fund pandëshkueshmërisë. Në ditët në vijim do të zgjidhet kreu i Byrosë së Hetimit, ndërkohë që janë zgjedhur mbi detajet e asistencës së ndërkombëtarëve. Gazeta e tha pak ditë më parë se ishte ngritur Komisioni i Pavarur i Rishikimit, por burime zyrtare nga Prokuroria e Posaçme bënë me dije se ky komision ka 4 anëtarë, 2 nga SHBA dhe 2 nga BE. Ndërkohë edhe në progres raportin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave është bërë e ditur se Brukseli ka sjellë 2 ekspertë që do të asistojnë në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. “Të gjithë përgatitjet administrative kanë përfunduar dhe SPAK ka nisur punën. Kreu i SPAK gjithashtu u emërua. Tani pritet që të emërohet kreu i Byrosë Kombëtare së Hetimit. Për këtë post kanë aplikuar 40 kandidatë. U selektuan si fillim 18 kandidatë dhe pas kësaj u zgjodhën 8 aplikantë që iu nënshtruan fazave të fundit të përzgjedhjes. Bashkimi Europian ka caktuar 2 ekspertë të drejtësisë kriminale në Byronë Kombëtare të Hetimit. Në dhjetor të vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor gjithashtu transferoi 16 gjyqtarët në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, që do të bashkëpunojnë me SPAK”, shkruhet në progres raportin e Komisionit Europian.
Trajnimi i hetuesve të BKH
Komisioni i Pavarur i Rishikimit po ndihmon që të emërohen njerëz të përgjegjshëm dhe që do t’i shkojnë deri në fund luftës ndaj korrupsionit. Por, ndihma e Amerikës në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, vazhdon të shtohet. Përpos caktimit të ekspertëve, SHBA do të angazhojë një grup nga FBI-ja që do të merret me trajnimin e 60 hetuesve të Byrosë së Hetimit. Hetuesit në fjalë pas zgjedhjes do të trajnohen 12 muaj nga agjentët e FBI-së. Këtë fakt e tha edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, në takimin e zhvilluar nga Kryeprokurori Olsian Çela, dy ditë më parë. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’ju ndihmojnë gjatë vitit të ardhshëm në këtë detyrë dhe në funksione të tjera vendimtare. Konkretisht, ekipi ynë i OPDAT-it është përkushtuar në mbështetjen e sistemit të ndjekjes penale me një grup trajnerësh nga Nju Xhersi të cilët janë angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë gjatë 12 muajve të ardhshëm. Ne do të punojmë me ju për të forcuar aftësitë e prokurorëve që kanë kaluar rivlerësimin kalimtar për të trajtuar dhe parandaluar veprimtarinë kriminale. Ne jemi përkushtuar për të ndihmuar në zhvillimin e Koordinatorëve të sapo-rekrutuar në Ndihmë të Viktimave, për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut për viktimat e krimit”, tha Yuri Kim. Pra, hapat e para të ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit janë hedhur. Deri më tani janë zhvilluar të gjithë fazat e përzgjedhjes së kreut të BKH-së, ku këto ditë pritet dhe emërimi. Ndërkohë, ashtu siç gazeta ka shkruar disa ditë më parë, janë hedhur edhe hapat e para për zgjedhjen e 60 hetuesve, por pas zgjedhjes së tyre, ata do i nënshtrohen një trajnimi 12 mujor, që për pasojë, e shtyn funksionimin e këtij institucioni pas një viti.










































