Agjentët grekë dhe militantët e ekstremit të djathtë kanë bashkuar forcat në këtë moment tensioni në kufi. Në frontin e nxehtë të kufirit me Turqinë janë dhe burrat e Agimit të Artë, të cilët gjurmojnë emigrantët që kalojnë kufirin, i kapin dhe i dorëzojnë te policia, të cilët i kthejnë mbrapsht.
“La Repubblica” shkruan se rreth 500 burra të Agimit të Artë patrullojnë zonën e kufirit, të gjithë të armatosur. Komunikojnë përmes chat-it dhe sapo sinjalizojnë prani të dyshimtë grupi më aktiv hidhet në sulm. Sipas tyre, nuk bëjnë asgjë të keqe, i ndalojnë dhe i dorëzojnë në polici, të cilët i falënderojnë.
Sipas eksponentëve të ekstremit të djathtë, ky veprim është ndërmarrë pasi janë braktisur nga politika. Për drejtuesit e këtij aksioni, shkruan “La Repubblica”, lufta është me profesionistët turq të Shërbimit Sekret. “Janë ata në linjë të parë, njerëz të përgatitur, që dinë të luftojnë. Prandaj edhe ne duhet të jemi në vijën e parë të frontit, sepse me Turqinë është një luftë”.