Koronavirusi (Covid-19) po shkakton telashe në futbollin europian. Për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, por edhe viktimave në Itali, federata e futbollit e këtij vendi po merr masa drastike, me anulimin e shumë ndeshjeve dhe shtyrjen pa afat të takimeve të rëndësishme, aq sa tani është vënë në diskutim luajtja e ndeshjeve brenda afateve të sezonit, pasi nuk ka data të lira. Pranohet dhe në median italiane që zhvendosja në kohë e ndeshjeve në Itali, për shkak të panikut të përhapur nga Koronavirusi, rrezikon të shkaktojë një kaos tek skuadrat e Serisë A. I njëjti vendim është marrë edhe për 2 ndeshjet e Kupës së Italisë, Juventus-Milan dhe Napoli-Inter, dhe tashmë duket shumë e vështirë manovrimi i Federatës Italiane të Futbollit për të gjetur data të lira, që të gjithë këto sfida të shtyra të luhen në javët në vazhdim. Dy ekipet që rrezikojnë ta ngarkojnë veten janë Juventusi dhe Interi. Derbi i Italisë mund të luhet në fundjavë, ndërsa bardhezinjtë më datë 13 mars do të sfidojnë Bolonjën dhe më datë 17 është parashikuar sfida e kthimit, në Champions, kundër Lionit, dhe më pas, më 21 të po këtij muaji është përballja me Leçen. Prilli gjithashtu pritet të jetë i ngarkuar për “Zonjën e Vjetër”, që do ta nisë muajin me transfertën e Xhenoas dhe nëse ka arritur të sigurojë kualifikimin, do të ketë edhe ndeshjet në Champions. Maji ofron të njëjtin problem, sfida kampionati, të Kupës së Italisë dhe në Champions. Për Interin është i njëjti problem. Nëse do të sfidojnë Juventusin në fundjavë, zikaltrit më datë 12 mars do të përballen me Getafen në Europa League. Vetëm pak ditë më pas vjen dueli me Sasuolon dhe sfida e kthimit me Getafen. Marsi kompletohet me takimin ndaj Parmës. Nëse avancon në Europa League, njësoj si Juventusi, ngarkesa do të jetë e lartë. Për të dyja skuadrat duket shumë e vështirë që të gjenden data të lira për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Në Itali për momentin futbolli është ndalur. Pas Juventus-Milan është shtyrë zyrtarisht edhe gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Italisë mes Napolit dhe Interit që ishte në program për t’u luajtur në “San Paolo” të enjten në mbrëmje. Ashtu si Juve-Milan edhe Napoli-Inter është shtyrë për në një tjetër datë të pacaktuar pasi rrezikshmëria nga koronavirusi është rritur dhe të luash sfida me tifozë në këto momente është si të vësh në rrezik jetën. Ka qenë perfekti i qytetit të Napolit Marco Valentini ai që ka vendosur për shtyrjen e kësaj sfide. Fillimisht liga italiane e futbollit ka diskutuar me orë të tëra me presidentin e të kaltërve Aurelio De Laurentiis që kjo sfidë të luhej pa tifozë por numri 1 i të kaltërve nuk pranoi edhe për faktin se ishin shitur 42 mijë bileta për duelin e San Paolos ndaj Interit dhe Napoli është një nga klubet që nuk përfshin rimbursimin e tyre. Tashmë kalendari i Interit është kthyer në një rebus të vërtetë me zikaltrit që deri në fund të këtij sezoni do ta kenë thuajse të pamundur të rikuperojnë tre sfidat e shtyra gjatë 2 javëve të fundit.



































