Mes tre emrave të publikuar sot nga OFL për plotësimin e formularit të deklarimit të pasurisë, është dhe Edmond Bego.Mond Bego, banues në Tiranë, dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”, është një emër jo pak i lakuar.
Edmond Bego, ish-anëtar i bandës se Lushnjës, sipas Partisë Demokratike, ka fituar 14 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes lidhjeve te tij me kreun e grupit parlamentar te PS, Taulant Balla.
Në vitin 2018 policia e Igumenices në bashkëpunim me sektorin e kontrollit të pasaportave të Sagiadas Edmond Bego u arrestua. Ai po kthehej nga pushimet ne Korfuz dhe përmes Igumenicës do të kalonte për në Shqipëri. Bego kishte ndërruar emrin në pasaportë në Mond Bega dhe me këtë emër kishte kaluar nga Shqipëria në Korfuz. Por rezultonte i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafik kokaine dhe heroine.
Njoftimi i plotë:
OFL, 5 mars Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
E. N., banues në Berat, arrestuar në vitin 2013, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
G. Ç., banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”.
M. B., banues në Tiranë, dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.








































