Nxënësit e gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier për herë të dytë brenda dhjetë ditëve janë helmuar për shkaqe që akoma nuk bëhen të ditura.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të mërkure ku mbi 30 nxënës janë dërguar në urgjencën e spitalit të Fierit, pas problemeve me frymëmarrjen dhe djegie në lëkurë e sy.
Një nxënëse e kësaj shkolle ka thënë se ndryshe nga situata e parë kjo e sotmja ishte një situatë kaotike.
“Isha në katin e parë po ndihmoja gocat që të merrnin çantat, era u ndie edhe tek palestra. Dolëm të gjithë jashtë. Unë akoma ndjejë probleme, ndjej dridhje trupi dhe formë bllokimi, pasi në momentin e fundit kam qenë në katin e dytë me një shoqe e cila po ndihmonte motrën e saj në katin e dytë ku u hodh. Profesorët na thoshin se nuk ka asnjë nxënës brenda, por aty ishin 30 nxënës të vitit të parë, por tashmë nuk e di nëse janë mirë apo jo. Pati disa nxënës të cilët u ra të fikët. Ngjarja ka ndodhur te godina e vjetër në katin e dytë”, tha nxënësja e shkollës “Janaq Kilica” për Abc News.
































