Projektligji për proceset e kalimit të pronësisë do i japë zgjidhje përfundimtare problemit mbi pronën, që është zvarritur për më shumë se tre dekada. Në mbledhjen e djeshme në Komisionin e Ligjeve kreu i Kadastrës, Artan Lame, deklaroi se ky ligj do të jetë përmbyllje përfundimtare e të gjitha çështjeve në lidhje me pronësinë në të gjithë vendin. Duke përshirë këtu çështjet tranzitore si: legalizimet, shpronësimet apo regjistrimet e pronave. Më tej Lame tha se fokusi i këtij ligji do të jenë pronat në zonat malore, pasi deri më tani ndarja e tyre është bërë jashtë rrugëve ligjore. Duke bërë kështu që këto prona mos të jenë të regjistruara dhe pronari zotëron vetëm aktin e pronësisë, por që nuk është i mjaftueshëm. Ndërsa me ligjin e ri pronari do mund të pajiset me tapi, që deri më tani pritet të jenë rreth 120 mijë familje në fshat dhe 1 milionë parcela që do të përfshihen nga ky ligj. “Ndryshimet ligjore synojnë të zgjidhin problemin e pronës shtetërore që është marrë nga privatët, rikthimin e pronës tek pronarët dhe përmbylljen e procesit të pajisjes me certifikatë pronësie, të fermerëve në zonat rurale të vendit. Pasi në këto zona njerëzit e dinë mes njëri-tjetrit pronën e gjithë secilit, por e kanë atë tërësisht pa dokumentacion, do të marrin pronën me letra. Në tokat në fshat janë 120 mijë familje që nuk kanë certifikatë pronësie, por kanë vetëm aktin e pronësisë, do të pajisen me certifikatë pronësie. Ndërkohë janë 1 milion parcela toka që përfitojnë nga ky proces”, sqaroi ai. Sipas tij, projektligji do të eliminojë burokracitë, por edhe do të lehtësojë zvarritjet e qytetarëve nëpër institucione apo me dokumente verifikimi. Me zbatimin e ligjit të ri të gjitha proceset do të drejtohen nga një institucion i vetëm dhe qytetarët duhet të plotësojnë tre pika kyçe për t’u regjistruar si pronarë të parcelës. “Ligje të veçanta kanë vepruar për një pronë dhe kjo ka sjellë kaosin që për një pronë të ketë disa pronarë. Ndërsa tani do të mbajë përgjegjësi një institucion i vetëm. Ndërsa pikat kyçe që duhet të përmbushë çdo i interesuar janë: duhet të jetë një familje fermere që e ka pasur të drejtën për paisje me tokë; të ketë marrë tokë vetëm nga një kooperativë, të mos përdoret si tokë bujqësore ajo tokë që nuk është përdorur asnjëherë si e tillë”, theksoi kreu i Kadastrës.
Legalizimi dhe kompensimi i pronave
Ndër të tjera Artan Lame vuri theksin tek procesi i legalizimit dhe përfitimi që do të ketë ligji për kompensim të pronave nga ky proces. Sipas tij, me përfundimin sa më parë të procesit të legalizimit do bëhet e mundur që të ardhurat e mbledhura do të kalojnë në fondin për kompensim të ish-pronarëve. Dhe jo vetëm kaq. Nëse ligji i vjetër thoshte që ndërtesat që nuk legalizohen do të shemben dhe pronari nuk mund të kompensohej. Me ligjin e ri të banesat mund të shemben si pasojë e zbatimit të planeve urbanistike apo projekteve të ndërtimit dhe legalizimit, do të përfitojnë nga projektet e strehimit social ose nga banesat në pallatet e reja. Ndërsa një pjesë mund të marrin kompensim financiar. Përfshihen këtu dhe ata që kanë ndërtuar pa leje. “Askush që ka një banesë nuk mund të nxirret nga banesa pa marrë një shpërblim, qoftë edhe të pjesshëm për banesën e tij. Do të përfitojnë nga dy kategori, ose nga banesa sociale, ose do përfshihen në projektet e shpronësimit për interes publik me fonde që do të mblidhen nga procesi i legalizimit”. Gjithashtu kreu i Kadastrës bëri të ditur se pas regjistrimit të pronës, ato parcela që mbeten pa pronar do tu jepen ish-pronarëve për kompensim. Miratimi i këtij ligji do të jetë lehtësues edhe për ata pronarë të cilët kanë mundur të marrin certifikatën e pronësisë për objektin, por jo për truallin në të cilën ndodhet objekti, që i përkasin kryesisht regjistrimeve para viteve ‘91. Sipas Lames këta pronarë kanë zvarritur më kot deri më sot, sepse përderisa kanë fituar pronësinë mbi objektin pse duhet t’i pengohet pronësia për truallin. Me hyrjen në fuqi të ligjit këto çështje do të zgjidhen menjëherë.