Bilanci i OFL/ Nga makinat e blinduara të Lul Berishës dhe Bamit, tek kompleksi “Golden”, ja pronat e sekuestruara me vendim gjykate

    0
    358

    Gjykata Kundër Krimit të Organizuar ka pranuar deri tani 6 kërkesa të SPAK për sekuestrimin e pronave personave me precedent penal. Këto vendime u dhanë mbi bazën e nenit 19 të Aktit Normativ nr 1 datë 31.01.2020 si subjekt i ligjit në kuadër të procedimit nr. 475 i ndryshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 139 dhe 333 të KP. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestron e “blindit” të Lulzim Berishës. Vendimi është marrë dje nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, ndërkohë avokati deklaroi se do të ankimonte vendimin pasi të ardhurat për blerjen e mjetit janë të deklaruara. Bashkë me formularin avokati mbrojtës i Berishës dorëzoi edhe një dokument të lëshuar nga Kadastra e Durrësit ku rezultonte se nuk ka asnjë pronë të regjistruar pranë zyrës shtetërore. Berisha u dënua në 2012 me burgim të përjetshëm, por më pas u lirua me kusht. Përveç automjetit të Berishës, janë sekuestruar edhe pasuritë e pesë personave të tjerë të cilët u bënë subjekt i OFL. 3 automjete të blinduara, 2 banesa, 1 kompleks dhe dy truaj në pronësi të personave të ndryshëm janë pasuritë e sekuestruara deri tani nga GJKKO. Këto prona fillimisht u sekuestruan nga OFL, të cilat i dorëzoi në SPAK, dhe kjo e fundit pas verifikimeve të formularëve i ka dërguar në gjykatë me qëllim sekuestrimin e tyre. Më konkretisht deri tani GJKKO ka vendosur të sekuestrojë pronat e Altin Hajrit. Konkretisht, kompleksi “Golden Resort”, në Xhafzotaj, Durrës. Në sekuestro është vënë karburanti “ALT-OIL 2008” dhe një vilë dy katëshe në Pjezë, Shijak. Gjithashtu GJKKO ka pranuar kërkesën dhe ka sekuestruar automjetin e blinduar të Durim Bamit. Sekuestrimi i makinës së blinduar të Bamit u bë në kushtet e emergjencës me firmën e drejtorit të Policisë së Shtetit, pasi dyshohet se automjeti është pasuri e vënë me burim të paligjshëm dhe se mund të fshihej pas nisjes së operacionit për sekuestrimin e tyre. Gjithashtu është pranuar edhe kërkesa për sekuestrimin e automjetit të blinduar të Saimir Taullaut, i njohur si kundërshtari Aldo Bares. Gjithashtu gjykata ka vendosur t’i sekuestrojë edhe një banesë dy katëshe shtetasit Martin Bleta. Njësi banimi dhe tokë bujqësore i është sekuestruar edhe Mateo Doçajt nga Shkodra. Pas dhënies së këtyre vendimeve, ato i janë dërguar për ekzekutim agjencisë dhe më pas për njoftim, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Prokurorisë së Posaçme dhe shtetasve që i janë sekuestruar asetet. Struktura e Posaçme ka bërë disa kërkesa në gjykatë për sekuestrimet e bëra në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit dhe aktualisht disa sekuestro janë në proces shqyrtimi.

     Çfarë parashikon OFL?

    Struktura e posaçme OFL parashikon kontrollin e pasurive të personave që janë dënuar për vepra të rënda penale në vitet e shkuara, si dhe sekuestrimin e pasurive të tyre në rastet e dyshimeve. OFL është në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në këtë rast Ardi Veliu, dhe drejtohet nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale. Ajo ka në përbërje të saj punonjës të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Përveç aksesit në database-in e Policisë së Shtetit, OFL-ja ka akses në informacionin apo bazën e të dhënave të institucioneve publike, përfshirë sistemin TIMS. Në shënjestër të paketës anti-KÇK janë të gjithë personat e dënuar apo që janë nën hetim për 44 vepra të rënda penale, ku përfshihen organizata kriminale, banda e armatosur, grupet kriminale, vrasjet, organizatat terroriste, rrëmbimet, pengmarrjet, trafiqet e armëve dhe të drogës, prostitucioni, vjedhjet etj. Njësia speciale e përbërë nga 50 oficerë tashmë ka nisur punën në qytetet më të mëdha të vendit, si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Elbasani.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here