Përshkallëzohet situata në kufirin greko-turk, në doganën e Kastanias. Policia po përdor lëndë lotsjellëse në përgjigje të hedhjes së gurëve dhe objekteve të tjera nga refugjatë dhe imigrantë të përqendruar.
Sipas gazetës “Ekathimerini”, gjatë operacioneve për të parandaluar emigrantët e paligjshëm, një polic grek u plagos në fytyrë nga një gur i hedhur nga ana tjetër.
Polici u dërgua menjëherë në spital për ndihmën e parë. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe përkundër dëmtimit të tij, ai shpejt kërkoi të kthehej në detyrë.
Burime nga pala greke, shkruan “Ekathimerini”, raportojnë se emigrantët përpiqen të kalojnë anën greke dhe nga ana turke e kufirit hidhet gaz lotsjellës ndaj forcave greke.
Vihen re forca të shumta policie dhe të ushtrisë të vendosura në zonë, me refugjatë dhe emigrantë që hedhin gurë e drurë ndaj tyre, duke u përpjekur t’i zmbrapsnin me gaz lotsjellës dhe granata.
Të paktën dy makina të ushtrisë dhe policisë janë dëmtuar. Policia ka përdorur dhe makina me ujë për t’i zmbrapsur.











































