“Një ndodhi në bregdet”, konkurron në festivalin grek dhe atë gjerman

0
465

Filmi i animuar “Një ndodhi në bregdet” është përzgjedhur në konkurrimin zyrtar në festivalin e filmit të animuar në Athinë “Athensanimfest”, që do të zhvillohet në datat 19-22 mars në Greqi, si dhe në festivalin e filmit të shkurtër “Grenzlandfilmtage Selb” në Gjermani, që do të zhvillohet në datat 16-19 prill të këtij viti. Piktor dhe regjisor në film është Bertrand Shijaku, skenari Kujtim Gjonaj dhe producent Genti Gjonaj. Një film për fëmijë, me kohëzgjatje 9 minuta, ku regjisori Bertrand Shijaku shprehet se ka shumë rëndësi kjo pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare. “Ka shumë rëndësi, në rrallë të parë që filmi im është në konkurrim zyrtar me të gjithë filmat që shfaqen në festival, të cilët janë nga e gjithë Europa ose më gjerë. Filmi gjithashtu përfaqëson Shqipërinë në zhanrin e filmit të animuar dhe që tregon se ka vlera, për deri sa është përzgjedhur të marrë pjesë në festival dhe në konkurrim zyrtar. Por qenia ime si kineast ka të bëjë me shkëmbimin e eksperiencave në fushën e filmit të animuar, bashkëpunimet që mund të lindin  me autorë të tjerë të huaj, promovimi ose shitja e filmit, kontratat që mund të nënshkruajmë me televizione për shfaqjen e filmit ose shfaqje në festivale të tjerë, sepse në festival marrin pjesë dhe organizatorë festivalesh, etj”, thotë piktori dhe regjisori Bertrand Shijaku për filmin e tij. Ai tregon se në Athinë në “Athensanimfest” pjesëmarrja e tij me filmat e animuar daton, që në vitin 2008 kur kineastët e filmit të animuar shqiptar morën pjesë me një prezantim të plotë të filmave të tyre. Ndryshe nga festivali i Greqisë, festivali në Gjermani në qytetin Selb në Bavari është një festival i filmit të shkurtër, që përfshin jo vetëm filma të animuar, por edhe filma të shkurtër fiction. Regjisori Bertrand Shijaku tregon se në këtë festival ka marrë pjesë pothuajse  në të gjitha edicionet, kur janë përzgjedhur filmat e tij. “Festivali ka një veçanti se përmbledh shumë filma nga Europa lindore dhe me të vërtetë është një sfidë me kinemanë e Europës perëndimore, për sa i përket filmave të kineastëve indipendentë, në të  cilin unë bëj pjesë. Ky festival ka vitin e 46 të krijimit të tij dhe është titulluar festivali i kufirit, sepse qyteti i Selbit ka qenë një qytet në Gjermaninë perëndimore në kufi, midis ish Gjermanisë lindore  dhe Çekosllovakisë, prandaj ata janë të prirur që të përzgjedhin shumë filma nga Europa lindore krahas filmave europiano perëndimorë”, thotë regjisori i filmit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here