Kur nuk kanë kaluar pak më shumë se 24 orë nga nënshkrimi i marrëveshjes historike mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve afganë në Doha, zbatimi i saj duket se ka ndeshur në problemin e parë.
Presidenti afgan Ashraf Ghani njoftoi se qeveria e tij nuk ka marrë asnjë angazhim për të liruar me mijëra të burgosur talebanë, një parakusht për fillimin e bisedimeve mes talebanëve dhe grupeve të tjera afgane.
“Lirimi i të burgosurve nuk është në autoritetin e Shteteve të Bashkuara, por të qeverisë së Afganistanit”, -tha Ghani.
Marrëveshja mes SHBA-së dhe talebanëve, e nënshkruar të shtunën, kërkon që palët në konflikt në Afganistan të nisin negociatat e drejtpërdrejta deri më 10 mars, për të rënë dakord mbi një armëpushim të përhershëm mbarëkombëtar dhe ndarjen e ardhshme të pushtetit.
Disa nga hapat e kërkuara për t’u ndërmarrë përpara dialogut përfshijnë lirimin e rreth 5 mijë talebanëve që ndodhen në burgjet afgane dhe të 1 mijë forcave qeveritare të sigurisë që mbahen nga kryengritësit.








































