Policia e Vlorës ka zbardhur disa vjedhje të ndodhura në qytetin bregdetar jugor duke vënë në pranga dy persona, të akuzuar se vidhnin pasqyrat e makinave. Në prangat e bluve të Vlorës përfunduan shtetasit me inicialet D. S., 24 vjeç dhe R. H., 38 vjeç, të dy me banim në Vlorë. Burime zyrtare thanë se pas denoncimeve se në një natë në qytetin e Vlorës ishin vjedhur aksesorët e tre automjeteve policia ka nisur hetimet dhe ka identifikuar në kohë rekord dy autorët dhe më pas ka bërë të mundur arrestimin e tyre. Sipas policisë dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë një nate kanë vjedhur tre automjete. Pas arrestimit dhe hetimeve të mëtejshme policia arriti të dokumentonte me prova ligjore se dy të arrestuarit ishin autorë edhe të dy vjedhjeve të tjera që kishin ndodhur rreth dy javë më parë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se dy të rinjtë e arrestuar dyshohet se mund të kenë kryer në qytetin bregdetar. Materialet ndaj tyre do ti kalojnë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”. Në ditët në vijim dy të arrestuarit do të dalin përpara gjykatës për tu njohur me akuzat dhe masën e sigurisë që togat e zeza do të caktojnë ndaj tyre.
Vjedhjet dhe arrestimi
Dy hajdutët, të cilët tashmë kanë rënë në prangat e Policisë së Vlorës ishin kthyen në tmerrin e qytetarëve të qytetit bregdetar. Vetëm në një natë ata arritën që të vidhnin aksesorët e tre automjeteve të ndryshme. Më konkretisht dy ditë më parë ata kanë vjedhur në lagjen “Pavarësia” Vlorë kanë vjedhur pasqyrat e një automjeti Mercedes, në pronësi të shtetasit me inicialet A. L, duke i shkaktuar dëmin prej 15.000 lekë të rinj. Por ata nuk janë ndalur me kaq po natën e 28 shkurtit dy hajdutët e makinave në lagjen “Isa Boleteni”, kanë vjedhur pasqyrat e automjeteve të tipit “Benz Mercedec”, në pronësi të shtetasve me inicialet D. H.; Dh. A.; A. L., dhe O. H. Gjithashtu, sipas burimeve zyrtare 24-vjeçari dhe 38-vjeçari më datë 08.02.2020, në lagjen “Pavarësia 3” dyshohet të kenë vjedhur pasqyrat e Mercedesit në pronësi të shtetasit me inicialet Y. G.. Sipas policisë nga përllogaritjet dy hajdutët i kanë shkaktuar shtetasit të lartpërmendur një dëm prej 12.000 lekësh të rinj. Arrestimi i dy të rinjve u bë i mundur mëngjesin e djeshëm pas denoncimit të personave që kishin pre e tyre. Pas marrjes së denoncimeve ku brenda një nate në qytet ishin vjedhur aksesorët e 3 automjeteve, policia menjëherë ngriti një grup hetimor dhe nisi punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kanë qenë specialistët për hetimin e krimeve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vjedhjen e pasqyrave të mjeteve të markës “Mercedes”, menjëherë organizuan punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Pas provave të mbledhura në automjetet e vjedhura si shenjat e gishtave që autorët kishin lënë në to, policia identifikoi autorët dhe nisi punën për kapjen e tyre. Policia organizoi operacionin e koduar “Mirror” dhe e finalizoi atë me sukses mesditën e së shtunës. Në kuadër të këtij operacioni, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve D. S., dhe R. H., (24 dhe 38 vjeç) me banim në Vlorë, të cilët dyshohen se kanë vjedhur pasqyrat e automjeteve. Dëmi i shkaktuar i 5 automjeteve në total arrin vlerën prej 127.000 lekë të rinj. Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.