Filmi “Vëthi i munguar”, një histori njerëzore e rrëfyer përmes jetëve të dy femrave

0
936

Filmi artistik “Vëthi i munguar”, me skenar dhe regji nga Bujar Alimani u shfaq për publikun në Tiranë. Një film me në role aktoret Ema Andrea dhe Adele Gjoka, i cili është prezantuar dhe në festivale të ndryshme jashtë vendit. Film është në vijim të punës së regjisorit të njohur Bujar Alimani me kinematografinë, ndërsa ai është duke punuar për projektet  e reja që do të realizojë. Në filmin “Vëthi i munguar”, aktorja e njohur Ema Andrea është në rolin e gruas, dhe Adele Gjoka në rolin e të dashurës së burrit. Një histori njerëzore, e rrëfyer përmes jetëve të dy femrave, është dhe subjekti i filmit të regjisorit Bujar Alimani, që u shfaq mbrëmë te “Destil”, për publikun. Regjisori Bujar Alimani shprehet, se filmi ka në vëmendje një marrëdhënie të vështirë. “Një film 40 minuta rreth marrëdhënies shumë të vështire mes dy grave”, pohon Alimani. Regjisori më herët ka pohuar se filmi “Vëthi i munguar” u shkrua për dy ditë, dhe me sa duket është produkt i një nevoje të brendshme për të thënë disa gjëra, në një mënyrë ndryshe siç janë thënë deri tani. “Në qoftë se kinemaja shqiptare me të gjithë filmat pa përjashtim kishte në një përqindje të madhe peisazhin- në të shumtën e rasteve i trajtuar si absurd bashkë me karakteret njerëzore shpesh ekzotike, (gjëra që shisnin shumë në perëndim) këtë herë vendosa ta mbyll krejt rrethin, ose më saktë ta “kyç” apartamentin. Të vendos dy personazhe, që do të testonin njëra- tjetrën në një përballje të fortë, e për pasojë brenda një atmosfere asfiksimi. Face to face”, tregon regjisori Alimani mbi filmin e tij, që është një dramë dashurie. Në qendër të filmit, një grua të cilës sapo i ka vdekur i shoqi, fton një natë të dashurën, që ka marrë vesh se ai ka pasur më parë. Gruaja që luhet nga aktorja e njohur Ema Andrea i thotë se i shoqi në testament ka lënë edhe diçka për të. Që të mos hapë proces gjyqësor, do e lërë siç është testamentin, me kusht që ajo ti tregojë gjithë lidhjen e tyre, dhe në këtë natë zhvillohet gjithçka në film.

Puna me filmat artistikë

Regjisor i njohur Bujar Alimani shprehet se“Vëthi i munguar” nuk është asgjë tjetër veçse humbja njerëzore si pjesë e të gjithëve dhe dashuria, si një gjë jo fort e thjeshtë. Filmi “Missing Earring” (Vëthi i munguar) u prit mjaft mirë nga të pranishmit edhe kur u shfaq në Nju Jork, të cilët vlerësuan regjisorin Bujar Alimani. Skenografia u realizua nga Klod Dedja, drejtor fotografie Spiro Nino, kostumografia Stela Laknori, skenari Eriona Cami, as/ regjisore Laura Buna, producente ekzekutive Lediona Kasapi, zëri Jurgen Kurti dhe grimi Juri Gjoka. Filmat artistikë të shkurtër të regjisorit Bujar Alimani, janë shpërblyer ndër vite në festivale të ndryshme të filmit, si në Tampere, Regenyburger, Siena, Sydney, Montpelier, etj. Në vitin 2011 ai realizoi filmin e tij artistik me metrazh të gjatë “Amnesty”. Ky ishte filmi i parë shqiptar që u financua nga fondi i Këshillit të Evropës, “Eurimages”, i cili përfaqësoi Shqipërinë në akademinë e çmimit “Oscar”, por nuk kanë munguar dhe vlerësime të tjera në festivale me filmat, që ka realizuar në vijim me aktivitetin e tij me kinematografinë. Regjisori Bujar Alimani, realizoi dhe filmin “Krom” për të vijuar dhe më të tjerë prodhime, si filmi “Delegacioni”, që u vlerësua jo vetëm në Shqipëri, por dhe në festivale ndërkombëtare të filmit në botë. Filmi më i fundit “Delegacioni” triumfoi në Festivalin Ndërkombëtar të Varshavës në Poloni, dhe u shpall si prodhimi më i mirë kinematografik i edicionit të 34-të. Filmi me regji të Bujar Alimanit dhe skenar nga i ndjeri Artan Minarolli, solli në Tiranë një çmim prestigjioz pas shumë kohësh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here