Google search engine
Home Aktualitet 474 efektivë policie përfundojnë në prokurori, valë ankesash për korrupsion e abuzime...

474 efektivë policie përfundojnë në prokurori, valë ankesash për korrupsion e abuzime me gjobat e hetimet, zbulohet raporti i SHÇBA

0
343

Plot 474 efektivë policie kanë përfunduar në Prokurori për abuzime me detyrën dhe korrupsion. Gazeta ka siguruar Strategjinë e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për vitin 2020-2024, ku bëhet fjalë për një bilanc të punës për vitin që lamë pas. Në raportin e SHÇBA theksohet se vëllimi i veprave penale që janë ndjekur nga kjo e fundit, si dhe vëllimi i subjekteve të dyshuar për përfshirje në krim gjatë vitit 2019, rezulton të jetë në të njëjtët parametra me vitin e mëparshëm. “Gjatë kësaj periudhe i janë përcjellë prokurorisë 250 referime për veprat penale për 474 persona, nga të cilët rreth 88% janë punonjës të Policisë së Shtetit, ku rreth 20% janë punonjës të nivelit të parë drejtues. Format më të përhapura të veprave kriminale që janë referuar për ndjekje penale në Prokurori, janë veprat korruptive e shpërdorimi i detyrës, të cilët zënë rreth 50% të shumës; ato në drejtim të bimëve e lëndëve narkotike që arrijnë në 17 % dhe të tjerat për vepra të ndryshme penale”, thuhet në dokument.

Ankesat

Sipas raportit, ankesat e qytetarëve kanë tendencë rritje dhe janë kryesisht për “mosveprim” rreth 50%, për “shkelje të procedurave standarde të punës” 30% dhe për “veprime arbitrare”, “gjobë të padrejtë” e “shkelje të normave të etikës” rreth 20%. “Nga informacionet, ankesat dhe inspektimet e bëra në organe e struktura të veçanta janë bërë rekomandime për masa disiplinore strukturave përgjegjëse, fillim të procedimit penal në Prokurori, si dhe janë çelur procedime për hetime të mëtejshme. Për hetimin administrativ të ankesave e informacioneve të ndryshme tashme ka një eksperiencë të mirë që duhet pasuruar më tej, por duhet treguar vëmendje edhe për rivendosjen e të drejtës dhe kompensimin e të dëmtuarit”, thuhet në dokument. Më tej Strategjia thekson se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të të dëmtuarve nga veprimet e paligjshme, të cilët duhen kompensuar moralisht e ekonomikisht. Më tej në dokument thuhet se kështu duhet edhe për punonjësit e strukturave të dyshuara, të cilët rezultojnë në rregull me ligjin e për pasojë u duhen rivendosur të drejtat e nëpërkëmbura padrejtësisht. Sakaq dokumenti vlerëson se transparenca mbi vendimet e marra brenda dhe jashtë strukturave ku shërbejnë punonjësit, do t’i shërbejë shumë vendosjes së të drejtave dhe besimit në radhët e punonjësve e qytetarëve. “Për kryerjen e detyrimeve ligjore në verifikimin e pastërtisë së subjekteve që i nënshtrohen vetingut, volumi i punës është përballuar me sukses edhe pse ai është në rritje. Megjithatë duhet mbajtur në konsideratë që veprimtaria e shërbimit në këtë drejtim duhet të formalizohet duke ngritur strukturë të veçantë dhe caktuar rregulla standarde për gjithë procesin, përfshirë dhe rekomandimin, për të evituar çdo qëndrim subjektiv dhe shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.

Efektivët e policisë në shkelje të ligjit

Më tej raporti thekson se në numrin e punonjësve të dyshuar për kryerje të veprave penale, peshën më të madhe rreth 88% e zënë punonjësit e PSH, ndër të cilët rreth 20% janë punonjës të nivelit të parë drejtues. Raporti vë në dukje se kjo vjen për shkak të limitit të madh organik që ka ky organ dhe dinamikës së ngjeshur të shërbimeve që kryen në veprimtarinë e përditshme për mbrojtjen e ligjit dhe parandalimin e zbulimin e krimit. “Diferenca midis numrit të procedimeve të hapura, apo çështjeve të referuara për ndjekje penale dhe atyre të dërguara në gjykatë është e madhe; ç’ka provon se çështjet e filluara nuk kanë pasur besueshmëri ligjore dhe janë shkelur të drejtat e punonjësve; aftësia për të hetuar e dokumentuar është tepër e ulët”, thuhet në raport.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here