Kufiri mes Greqisë dhe Turqisë është mbushur me mijëra persona që synojnë të futen në Bashkimin Europian. Kjo gjendje po ndodh 36 orë pasi qeveria turke hapi dyert ndaj emigrantëve sirianë që ndodheshin në territorin e saj.
Mediat greke raportojnë se vetëm në një nga pikat kufitare janë mbledhur 3 000 emigrantë që synojnë të futen në Greqi, ndërsa i gjithë kufiri është i mbushur me të tillë.
Greqia është në një gjendje alarmi në zonën kufitare me Turqinë duke dërguar ushtrinë dhe forca të reja policore për t’iu përgjigjur krizës.
Gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur përplasje fizike mes emigrantëve dhe policisë greke, të cilët nuk kanë lejuar futjen e tyre në territorin e Greqisë.
Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis tha dje se Greqia nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për asgjë që ka ndodhur në Siri duke nënkuptuar se nuk do ta hapë kufirin për emigrantët sirianë që futen nga Turqia.
Vendimi i Turqisë për t’i përdorur emigrantët si presion ndaj Perëndimit erdhi pas vrasjes së 33 ushtarëve nga aviacioni rus në Idlib të Sirisë.
Ushtria turke ndodhet pa mbështetje ajrore në territorin sirian pasi hapësira ajrore kontrollohet nga Rusia.
































