Alis Hysa, vëllai i ish-kampionit të boksit Nelson Hysa, është mes personave të arrestuar dje nga Policia me urdhër të Prokurorisë së Përmetit pasi u kapë në përgjimet e dosjes ‘Mezhgorani’.
Lidhja e Alis Hysës me modelen Marina Fara, vajzën e këngëtares Eli Fara ka bërë që dje Policia të mësyjë dhe në shtëpinë e saj për kontroll. Nga kontrolli në shtëpi nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm. Në përgjimet e bëra nga prokuroria ka dalë se Marina ka pasur kontakte të shpeshta telefonike me njërin nga të ndaluarit për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, Alis Hysën, shkruan newsbomb.al.
Mësohet se në përgjime, vajza e këngëtares ka emrin e saj të gjendjes civile Roxhensa Vangjush Kapurani, ndërkohë pas pagëzimit ajo ka ndryshuar emrin, njëkohësisht ka hequr dorë edhe nga mbiemri i të atit. Bëhet me dije se Marina Fara ka pasur kontakte të shpeshta telefonike me Alis Hysën, madje një rast vajza e këngëtares e ka ndihmuar Hysën dhe t’i largohet Policisë.
Alis Hysa ka qenë duke u ndjekur nga Policia pasi në makinën me të cilën ai udhëtonte bashkë me një person tjetër, po transportohet një sasi e madhe lënde narkotike. Por sapo ka vërë re se makina e tyre po ndiqej nga Policia, Alis Hysa dhe shoku i tij e kanë braktisur atë dhe janë larguar për disa minuta në këmbë. Në një moment, siç ka dalë në përgjime, Alis Hysa ka marrë në telefon të dashurën e tij, Marinën, e cila e ka marrë me makinën e saj bashkë me shokun dhe i ka larguar nga vendngjarja.
Mbi Hysën dhe 28 personat e tjerë rëndojnë akuzat ‘Prodhim dhe shitje i lëndëve narkotike’, ‘Falsifikim dokumentesh’, ‘Armëmbajtje pa leje’ etj.
Kurse për Marina Farën, Prokuroria e Përmetit ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, pasi nuk është arritur të provohet nëse ajo ka qenë në dijeni për transportin e dorgës nga i dashuri i saj, Alis Hysa.
Marina Fara, apo Roxhensa Kapurani, shfaqet me Alis Hysën, vëlla i ish-kampionit të boksit Nelson Hysa.
Kujtojmë se, ish-kampioni i boksit gati tre vite më parë ra pre e një atentati me breshëri kallashnikovi por fatmirësisht arriti të mbijetonte. Nelson Hysa ishte duke shkuar te berberi mesditën e 6 majit 2017, në vendin e quajtur ‘Ura Dervishbeg’, kur dy persona të maskuar i janë afruar me motor dhe kanë nisur të qëllojnë ndaj tij me breshëri kallashnikovi. Kalimtarët e rastit i kanë dhënë ndihmën e parë ish-kampionit të boksit i cili pasi është dërguar me urgjencë në spital ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, raporton newsbomb.al.
Një vit më parë Policia arrestoi Valter Ksollën, 23 vjeç, banues në Lagjen ‘Mark Lula’, Shkodër dhe dy bashkëpunëtorët e tij vëllezër, si autor të ngjarjes ku mbeti i plagosur Nelson Hysa.
