Për shkak të numrit të lartë të aksidenteve në vend, qeveria ka vendosur të ashpërsojë gjobat ndaj drejtuesve të automjeteve. Ditën e djeshme, Ministria e Brendshme ka prezantuar publikisht paketën me propozime për disa ndryshime në Kodin Rrugor. Këto ndryshime do të prekin, shoferët e rinj, këmbësorët, por edhe do të ashpërsojnë gjobat për shoferët që shkelin ligjin, për shkelje që deri më tani kanë kaluar me gjoba shumë të lehta, duke bërë kështu që shoferët t’i neglizhojnë këto rregulla. Masa më e rëndë e ndërmarrë është ajo për drejtimin e makinës në gjendje të dehur, që shkon deri në 40 mijë lekë, nëse përmbajtja e alkoolit është nga 0.8 g/l deri në 1.5 g/l, nga 5-15 mijë lekë që është aktualisht. Po ashtu nëse shoferi apo shoferja kapen të dehur ju pezullohet patenta deri në 2 vjet, ndërkohë që aktualisht është 6 muaj. Sakaq për këtë kategori ka edhe një masë akoma më të rëndë, si pararojë e parandalimit të aksidenteve. Nëse drejtuesi i automjetit është në gjendje të dehur dhe shkakton një aksident, sakaq rezulton me përmbajtje alkooli 1.5 g/l, atij ose asaj i hiqet leja e drejtimit me të gjitha pikët. Ç’ka do të thotë se shoferi apo shoferja rikthehet sërish në auto-shkollë për ta marrë patentën nga e para. Vlen të theksohet se nëse shoferi apo shoferja konstatohet me pije alkoolike nga ora 19:00 – 06:00 të mëngjesit, propozohet që gjoba të jetë 30% më e lartë.
Gjoba për përdorimin e celularit në timon
Sa i takon atyre që kapen duke përdorur celularin në timon, gjoba rritet nga 1 – 1.5 mijë lekë që ishte, në 5 – 15 mijë lekë. Ndërsa nëse shkelja përsëritet 3 herë brenda vitit, vlera e gjobës dyfishohet, pra arrin deri në 30 mijë lekë. Gjithashtu në rast se personi kapet me këtë shkelje, merr edhe masën ndëshkuese edhe me pezullimin e lejes së drejtimit për 3 muaj, si dhe hiqen nga patenta 10 pikë. Për përdorimin e celularit do të merret 5 mijë lekë gjobë, edhe nëse je vetëm duke e mbajtur telefonin në dorë. Një tjetër ndryshim që është bërë në Kodin Rrugor, është edhe shtimi i testit të psikologjisë ose ndryshe i cilësuar si “Testi i idiotit”. Ky test do të përdoret për shkelje të renda të normave të sjelljeve të përsëritura gjatë drejtimit të mjetit. Policia e Shtetit do të detyrojë drejtuesin/en e mjetit të kryejë vizitë mjekësore, pra një test psikologjie, për të dëshmuar aftësinë e tij për lejimin e mbajtjes dhe përdorimit të lejes së drejtimit. Kjo është një risi në Kodin Rrugor, pasi ndryshe nga gjobat e tjera, të cilat kanë kaluar nga një masë më e lehtë në një masë shtrënguese, ky test vjen për herë të parë.
Përparësia në rrugë
Gjoba për shoferët të cilët nuk respektojnë rregullin e përparësisë në rrugë do të rritet nga 1-3 mijë në 5-8 mijë. Kur efektivët rrugorë konstatojnë se shkelja është përsëritur 2 herë brenda vitit, pezullohet patenta deri në 1 vit dhe hiqen 5 pikë nga leja e drejtimit. Kodi Rrugor ka pësuar një ndryshim edhe për drejtuesit e motorit, pra propozohet që veç kaskës mbrojtëse, të jetë i detyrueshëm gjatë natës, në errësirë, edhe mbajtja e jelekut fosforeshent. Gjoba në këto raste do të jetë deri në 1-3 mijë lekë.
Rripi i sigurimit
Një tjetër ndryshim është bërë edhe për personat që nuk përdorin rripin e sigurimit gjatë udhëtimit me makinë. Shoferi do të marrë gjobë 1-3 mijë lekë, nëse pasagjerët në makinën e tij nuk kanë të vendosur rripin e sigurimit. Ndërsa personat që bëjnë një parakalim të gabuar gjatë drejtimit të automjetit do të gjobiten nga 1-3 mijë lekë që është aktualisht me 5-19 mijë lekë. Pra kjo gjobë ka pësuar një dyfishim. Po ashtu, shtohet edhe pezullimi i patentës me 1 muaj.







































