Komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit nga mbrëmja e sotme deri të dielën do të jetë në skenën teatrore, për publikun. Në skenën e teatrit Metropol komedia vjen me regji nga Armela Demaj. Kjo vepër prej disa mbrëmjesh është në skenën teatrore, por sipas teatrit edhe fundjava do të jetë me shije Shekspiriane. “Jepini pak shije Shekspiriane fundjavës tuaj”, shprehet teatri për këtë komedi, që do të jetë në skenë. Në këtë vepër, motivi i dashurisë vjen me të gjitha dimensionet, me pasionin, me poezinë, me lirikën, me marrëzinë dhe me humorin e pasur. Për të sjellë në skenë komedinë e njohur të Shekspirit, në skenë janë aktorët Alba Shtembari, Aleksandër Mitrollari, Amri Hasanlliu, Bledi Naska, Edvin Mustafa, Engjëll Hoxha, Erdet Miraka, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Klodjana Keco, Luisa Dinellari, Margent Caushi, Mario Bali, Mariglen Domi, Rexhina Mollaymeri, Sara Koci, Sedmir Memia, Shkëlzen Berisha, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari. Ndryshe nga veprat e tjera të Shekspirit, “Ëndrra e një nate vere” është një pjesë vërtetë origjinale. Vepra ndahet në disa linja, si dashuria, ëndrra, imagjinata të reflektuara në një mori personazhesh, plot intriga, dashamirësi, magji dhe fantazi. Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave, si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë, që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Hermia është e dashuruar me Lisandrin, por ati i saj kërkon ta martojë me Dimitrin. Për t’i shpëtuar kësaj martese të kurdisur, ajo dhe Lisandri arratisen në pyll. Dimitri i ndjek dhe Helena, që ushqen një pasion të pashpërblyer për të, e ndjek dhe ajo pas. Një katërshe dashurie zhvillohet midis të rinjve kur Paku qerrata luan rolin e Kupidit. Ndërkohë, një grup aktorësh amatorë bëjnë prova të një teatri të dështuar dhe shpejt jetët e tyre ndryshojnë nga veprat e Oberonit dhe Titanias, mbreti luftëtar dhe mbretëresha e zanave. E shkruar ndoshta në vitin 1595 ose 1596, “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit, por mund të dallohet nga veprat e tjera të këtij grupi, duke e përshkruar si pjesë shoqëruese për ceremoni dasmash.








































