Atletika shqiptare vijon të korrë suksese në rang kombëtar e ndërkombëtar, pavarësisht se ka mungesë të theksuar infrastrukture, sidomos në kryeqytetin e vendit, Tiranë. Pas sukseseve të mëdha në Kampionatin Ballkanik dhe në Mitingun e Stambollit, ku shkëlqeu në mënyrë të veçantë atletja Luiza Gega. Dje ishte radha e atletëve tanë të regjistronin sukses në Mitingun e Beogradit, një aktivitet që sipas zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Atletikës ka vlerë pikësh olimpike. Dhe atletika jonë u prezantua me dinjitet që në garat e para, ku atleti i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, si dhe ai i vrapimit të 400 metrave, Franko Burraj, arritën të zinin vendet e para, duke dëshmuar për rezultate të qëndrueshme dhe njëherësh për sinjale të forta shprese që mund të kualifikohen në Lojërat Olimpike Verore të Tokios në Japoni, në fundin e kësaj vere.
Gara e Beogradit
Izmir Smajlaj kthehet në Beograd, aty ku dy vite më parë mori medaljen e artë në kërcim së gjati në Kampionatin Europian të Atletikës në salla të mbyllura (indoor). Dhe Smajlaj vijoi aty ku e la dy vite më parë, po në vend të parë, por këtë herë me një rezultat jo në ato nivele, por të mjaftueshëm për të rrëmbyer medaljen e artë të kësaj gare. Në garën e djeshme të zhvilluar në Beograd, Izmir Smajlaj realizoi disa prova të sakta, që të gjitha mbi 7.85, duke dëshmuar përmirësimin e rezultateve të tij, qëndrueshmërinë e tyre dhe premisat për të kapur normën olimpike (8.15 m) në javët dhe muajt e ardhshëm. Dhe po t’i referohemi deklaratave që ka dhënë presidenti i FSHA-së, njëherësh trajner i tij, Gjergj Ruli, me siguri që deri në maj izmir Smajlaj do ta kapë rezultatin në kufijtë 8.20 m, që është më lart se norma olimpike. Prandaj dhe gara e djeshme në Mitingun e Beogradit pritej me interes. Rezultati më i mirë i atletit shkodran në 6 prova ishte 7.94 m, disa cm më mirë sesa në Stamboll dhe pak a shumë në kufijtë e stërvitjeve të fundit, megjithëse atleti, për të mos bërë gabime, vendosi këmbën larg pedanës, që do të thotë se nëse rrezikonte për të qenë pranë vijës mund të kalonte 8 metrat. Sidoqoftë, edhe rezultati 7.94 metër konsiderohet si rezultat rekord i mitingut, padyshim më i miri i garës dhe vend i parë i merituar.
Franko Burraj, tjetër sukses në garat dimërore
Një tjetër atlet që mori pjesë në garat e djeshme të atletikës në Mitingun e Stambollit, ishte edhe atleti i garave të shpejtësisë, Franko Burraj, i cili realizoi një kohë të mirë e premtuese. Ai e bëri 400-metërshin më 47 sekonda e 20 të qindtat, duke merituar vendin e parë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me Burrajn, pasi ai ka disa muaj që vetëm përmirëson rezultatet e tij, duke qenë vetëm 1 sekondë larg normës olimpike me rezultatin e djeshëm, por nga rezultatet që ka bërë në disa gara së fundmi ai është vetëm disa të qindtat larg, që do të thotë se me punë në javët dhe muajt e ardhshëm mund ta kapë normën olimpike e të shtojë radhët e atletikës shqiptare në Tokio-2020, për t’i dhënë asaj dimensionin e vërtetë të “mbretëreshës” së sporteve në Shqipëri. Edhe pse me një buxhet modest, që është diku tek 55 mijë euro në vit, atletika ja ka dalë të ketë rezultate të pranueshme, madje shumë të larta dhe kjo falë një kaste atletësh të shkëlqyer si Luiza Gega, Izmir Smajlaj, franko Burraj, David Nikolli e ndonjë tjetër. Për momentin, e vetmja sportiste e kualifikuar në Olimpiadë edhe zyrtarisht është Luiza Gega, që stërvitet nga trajneri Taulant Stërmasi. Theksojmë në fund se trajneri i Izmir Smajlajt, Gjergj Ruli, në një intervistë për gazetën “SOT” javën e kaluar, deklaroi me pompozitet se do të hiqte dorë si trajner i atletit shkodran nëse sportisti nuk kap rezultat mbi 8.20 metër.







































