Google search engine
Home Politike Drejtesi Zhbllokohet ngërçi për Gjykatën e Lartë, KLGJ 3 emra në Presidencë, ja...

Zhbllokohet ngërçi për Gjykatën e Lartë, KLGJ 3 emra në Presidencë, ja mekanizmi që shmang bllokimin si me Kushtetuesen

0
444

Pas Gjykatës Kushtetuese nis puna edhe për funksionimin e Gjykatës së Lartë. Vetingu i dha një goditje të fortë gjykatës më të fuqishme në vend dhe prej shumë muajsh është jashtë funksionit. Por, shumë shpejt pritet të bëhet emërimi i 3 emrave të parë nga jashtë sistemit gjyqësor, që do të sjellë shpresë për funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe tre kolegjeve, atij Penal, Civil dhe Administrativ. Puna ka nisur dje, ku Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi një seancë plenare, dhe në rendin e ditës kishte nisjen e “punimeve” për të ngritur Gjykatën e Lartë. Në kuadër të kësaj, Këshilli publikoi 3 emrat e gjyqtarëve të rinj që do garojnë për Gjykatën e Lartë, konkretisht, Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe. Ashtu siç procedura e kërkon, tre emrat do të intervistohen sot, ndërsa të premten, sipas Këshillit Gjyqësor, emrat do të dërgohen në Presidencë, ku do të merret pëlqimi i presidentit për gjyqtarët e rinj. Një tjetër vendim i marrë nga KLGJ dje, në kuadër të funksionimit të Gjykatës së Lartë, është hapja e garës edhe për 6 gjyqtarë të cilët vijnë nga radhët e gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë, 3 për fushën e të drejtës administrative dhe 3 në fushën e të drejtës civile. Lidhur me këtë vendim, dy anëtarë të KLGJ-së, Brunilda Kasmi dhe Medi Bici u shprehën se gara duhet të hapet për 14 vende, pasi sipas tyre kjo i hap rrugë jo vetëm funksionimit të Gjykatës së Lartë, por edhe të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, vlen të theksojmë se Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 vende, por vetëm një anëtar është funksional. Bëhet fjalë për Ardian Dvoranin me mandat të përfunduar, tashmë kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pra, duke qenë se 3 anëtarë për në Kushtetuese i zgjedh Gjykata e Lartë, dhe Kushtetuesja aktualisht ka vetëm 4 gjyqtarë nga 9 që duhen. Siç u përmend dhe më lart, ky institucion prej afro 1 viti ishte bllokuar nga mungesa e gjyqtarëve që u shkarkuan nga vetingu, që për pasojë sollën bllokimin e dosjeve. Bëhet fjalë për 35 mijë dosje që janë “braktisur”, dhe gjatë një viti mungesë, ato janë shtuar dhe arkivuar, duke “kërkuar” ndihmë, dhe dje seanca e Këshillit të Lartë Gjyqësor i ndezi dritën jeshile.

Kompetencat e Presidentit

Gjykata e Lartë duket se është shumë afër funksionimit dhe ndryshe nga Gjykata Kushtetuese, ringritja e këtij institucioni nuk mund të penalizohet nga presidenti. Kujtojmë se presidenti Ilir Meta, ishte shkaktari për ngërçin e krijuar për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, për shkak të përplasjes që kishte me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, asnjë “kurth” nuk mund të ndalojë funksionimin e Gjykatës së Lartë, pasi ashtu si dhe neni 136 i Kushtetueses e parashikon, kompetencat e presidentit janë të “kufizuara” në këtë gjykatë, dhe nëse hedh poshtë ndonjë nga kandidatët, Këshilli Gjyqësor e rrëzon konstatimin e tij. “Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mos-emërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në nenin 136.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here