Rreth 50 të plagosur, 40 agjentë policie dhe 10 manifestues, është bilanci i dy ditëve të fundit të përplasjeve në ishujt grekë Kos, Samos e Lesbos, ku po zhvillohen protesta të dhunshme kundër vendimit të qeverisë greke për të ndërtuar qendra të mbyllura për emigrantët.
Mediat greke bëjnë të ditur se për të qetësuar situatën, që po merr përmasat e një guerilje urbane, guvernatori i rajonit të Egjeut të Veriut dhe kryebashkiakët e ishujve në fjalë janë thirrur në Athinë, për një takim me qeverinë.
Revolta shpërtheu kur në Lesbos e Kos u dërguan qindra agjentë të Ndërhyrjes së Shpejtë, për të mbrojtur punimet e ndërtimit të qendrave. Policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe bomba tymuese kundër demonstruesve.
Sipas dëshmitarëve, edhe një italian që punon me një organizatë në Lesbos, thanë se në manifestime merrnin pjesë edhe pjesëtarë të ekstremit të djathtë të Agimit të Artë dhe një grup i ekstremit të majtë.
Të njëjtat burime thanë se një grup i demonstruesve hynë në një hotel ku qëndronin policët, të dërguar nga Athina. Sipas medies lokale, një tjetër sulm u krye në bazën ushtarake në Kyriazis, ku qëndronin agjentë të tjerë.










































