Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas shumë pikëpyetjesh, zbuloi arsyen se përse thirri në seancë dëgjimore në shkurt të këtij viti gjyqtarin e Apelit të Gjirokastrës, Tomor Skreli, edhe pse ai kishte dhënë dorëheqjen në dhjetor të vitit 2019. Pikërisht në këtë muaj nisi historia, kur Skreli vendosi që të dorëzojë dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, me argumentin se ka probleme shëndetësore, por, pavarësisht vendimit të tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit caktoi për të një seancë dëgjimore në shkurt. Historia vijon, po në datën 3 shkurt kur ishte caktuar seanca dëgjimore, Komisioni njoftoi se seanca u shty dhe vetëm dy ditë më parë, pikëpyetjet morën një përgjigje. Në vendim, KPK ka sqaruar arsyen e thirrjes së Skrelit në seancë dëgjimore, duke zbardhur edhe përgjigjet e gjyqtarit. “Për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe mos- cenimin e të drejtës së subjektit për tu dëgjuar, në datë 29.1.2020, Komisioni ftoi në seancë dëgjimore subjektin e rivlerësimit z. Tomor Skreli, seancë e cila do të zhvillohej në datë 3.2.2020. Mbas dërgimit të njoftimit për zhvillimin e seancës dëgjimore, subjekti i rivlerësimit, në datë 30.1.2020, me komunikimin elektronik ndër të tjera parashtron se, …në datë 10.12.2019, KLGJ ka vendosur mbarimin e mandatit të tij dhe se ai është larguar nga detyra në datë 20.12.2019. Në vijim të komunikimit me subjektin e rivlerësimit, në datë 30.1.2020 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton z. Tomor Skreli se, në garantim të të drejtave themelore të tij, e fton në seancë dëgjimore për ta dëgjuar në lidhje me procesin e rivlerësimit të ndjekur ndaj tij dhe se, seanca do të zhvillohet siç parashikohet në njoftimin përkatës. Komisioni i kërkoi subjektit të konfirmojë prezencën e tij ose të bëjë me dije nëse nuk dëshiron të paraqitet në seance”, shkruhet në vendim. Më tej, në vijim të bisedës, gjyqtari i Gjirokastrës Tomor Skreli shton se nuk mund të paraqitet në seancë, por Komisioni mund të vazhdojë ndjekjen e procedurës përkatëse, ndërsa pas kësaj, ka kërkuar të ndërpritet procesi. “Gjithashtu me postë elektronike të datës 3.2.2020, subjekti i rivlerësimit njofton Komisionin, siç e kishte sqaruar edhe në komunikimin paraardhës, se ai nuk ka asnjë pretendim për vendimin e KLGJ-së për mbarimin e mandatin dhe deklaron se nuk do të paraqitet në seancë megjithëse e konsideron veten të njoftuar. Subjekti i rivlerësimit konfirmon se kërkon ndërprerjen e procesit të rivlerësimit”, shkruhet në vendim, referuar sqarimit të Skrelit.
Vendimi i KPK
Në sqarimet për thirrjen e Skrelit në seancë dëgjimore më 3 shkurt, KPK zbardh të tjera detaje. Në vendimin 6 faqesh, KPK sqaron gjatë ecurinë e seancës, duke shpjeguar se ka qenë e drejta e gjyqtarit të japë dorëheqjen, dhe në asnjë moment nuk ka shkelur ligjin. Ndërsa lidhur me mospranimin e Skrelit për të mos qenë në seancë, në vendim shkruhet se gjyqtari ka paraqitur komentet dhe shpjegimet e plota për gjetjet e KPK gjatë procedurës administrative. “Subjekti i rivlerësimit u njoftua për zhvillimin e seancës dëgjimore, deklaroi mospjesëmarrjen e tij dhe, konfirmoi kërkesën për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, Komisioni vlerëson se, procedura administrative për këtë subjekt mund të mbyllet pa nevojën e zhvillimi të seancës dëgjimore, pasi subjekti ka paraqitur paraprakisht mendimet, komentet dhe shpjegimet e plota gjatë procedurës administrative”, shkruhet në vendim.