Vendimi i presidentit Ilir Meta për të protestuar kundër qeverisë në datën 2 mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka sjellë përplasjet e para brenda opozitës. Qëllimi kryesor i presidentit Meta është të mbushë sheshin para Kryeministrisë, në mënyrë që t’i tregojë muskujt mazhorancës qeverisëse. Por që të ndodhë kjo, Metës i duhet me patjetër ndihma e Partisë Demokratike, pasi dihet që vetëm me mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai nuk e mbush dot bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Mirëpo, Meta, sëbashku me Kryemadhin dhe Berishën duket se nuk ia kanë besën kryedemokratit Lulzim Basha se do t’i mbështesë në këtë protestë. Kështu, burime shumë të sigurta nga selia blu i pohuan gazetës se lëvizjet e fundit të Bashës kanë alarmuar treshen Berisha, Meta dhe Kryemadhi, të cilët kanë nisur presionet ndaj tij.
Berisha-Kryemadhi përplasen me Bashën për 2 marsin
Sipas informacioneve, mësohet se zanafilla e këtij konflikti të fortë ka nisur dy ditë më parë, kohë kur kreu i PD zhvilloi një takim në selinë blu me një grup ekspertësh lidhur me masat e marra në vendin tonë kundër koronavirusit. Basha menjëherë pas këtij takimi foli për mediat, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që të marrë masat dhe të lërë propagandën, pasi edhe Shqipëria është e rrezikuar, duke qenë se koronavirusi ka zbritur në Itali. Por kjo thirrje e liderit demokrat nuk është pritur mirë nga ish-kryeministri Berisha, LSI dhe kreu i shtetit, teksa mësohet se e kanë parë atë si një lëvizje që tremb qytetarët, në mënyrë që këta të fundit të mos dalin në tubimin e 2 marsit të thirrur nga Meta. Vetë Kryemadhi dhe Meta nuk kanë folur deri më tani, duke e injoruar koronavirusin, ndërsa janë shprehur se 2 marsi nuk ka kthim pas. Mirëpo, fakti që Basha po bën thirrje për t’u marrë masa, shihet si një mesazh për të minuar manifestimin e thirrur nga Meta dhe rreshtuar krah qeverisë. Kështu që, Berisha, Meta dhe Kryemadhi kanë nisur presionet mbi Bashën, duke i kërkuar që të distancohet nga kjo lojë.
Lëvizjet e Bashës, alarmojnë Metën dhe LSI
Por këto lëvizje dhe deklarata të kryedemokratit Lulzim Basha sa i takon koronavirusit kanë alarmuar tej mase treshen revolucionare Berisha, Meta dhe Kryemadhi. Kjo e fundit për t’i treguar se Basha ka hyrë në rrugë qorre, ka nxjerrën dy ditë më parë nënkryetarin e LSI, Luan Ramën për të mbrojtur bashkëshortin e saj dhe për të sulmuar e “kërcënuar” kryedemokratin. Mësohet se përmes Ramës, Kryemadhi i ka dërguar një mesash të koduar Bashës, duke i kujtuar këtij të fundit se të merresh me këtë virus në një kohë që Meta ka thirrur protestë, është shërbim ndaj qeverisë dhe Edi Ramës. “Çdo përpjekje për të krijuar alibi, apo çdo alibi për t’u fshehur pas koronavirusit, apo pas krimovirusit të qeverisë, është në thelb shërbim për të fshehur dhe për t’i shërbyer antikushtetueshmërisë, është shërbim ndaj atyre që kanë shkelur Kushtetutën, është shërbim për t’u vënë në funksion të atyre që kanë bërë me vetëdije një veprimtari kriminale në funksion të kapjes së shtetit, dhunimit të shtetit dhe shkeljes së Kushtetutës”, deklaroi Rama. Pra, të gjitha këto tregojnë se ka plasur një sherr i fortë në opozitë. Megjithatë, nga ana tjetër gazeta kontaktoi disa nga degët e PD në Tiranë dhe në rrethe, duke i pyetur se a do t’i bashkohen tubimit të thirrur nga presidenti Meta. Disa prej krerëve të degëve janë shprehur se Basha iu ka thënë se e kanë në dorë vetë se çfarë duhet të bëjnë, ndryshe nga udhëzimet që iu jepte një vit më parë gjatë protestave të thirrura nga opozita, ku kërkonte pjesëmarrje. Pra, edhe pse Basha e mbështeti pak ditë më parë, ndonëse me vonesë protestën e thirrur nga Meta në 2 mars, fakti që ai ua ka lënë në dorë strukturave që të zgjedhin vetë nëse do shkojnë apo jo si qytetarë në tubimin e presidentit, tregon se ka divergjenca mes palëve.