Komisioneri europian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi prezantojë sot metodologjinë e re mbi bisedimet e anëtarësimit në kuadër të procesit të zgjerimit, pas këmbënguljes, kryesisht të Francës e cila pasoi me mungesën e një vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tetorin e kaluar para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare.
Në fjalën e tij, ministri i jashtëm i Holandës, Stef Blok pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian thekson: Qartësisht, nuk ka ende dritë jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.. Drita jeshile vjen kur të përmbushen kriteret. Për Holandën, Maqedonia e Veriut ka përmbushur kushtet, por për Shqipërinë presim më shumë rezultate.
Tetorin e kaluar, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria pësuan disfatë në ambiciet e tyre evropiane. Drejtuesit e Unionit kundërshtuan hapjen e procesit të pranimit të këtyre vendeve të Ballkanit.
Të gjithë pranuan se Maqedonia e Veriut kishte përmbushur premtimet e saj, siç është Marrëveshja e Prespës e nënshkruar me Greqinë, çka solli edhe ndryshimin e emrit, por disa vende të BE-së shprehën dyshime për përparimin e Shqipërisë.
“Procesi i zgjerimit do të marrë një fokus kryesor në samitin e Zagrebit i cili do të mbahet në muajin maj të vitit 2020. Ky takim do të jetë një moment uniteti dhe avancimi për Europën. Ne presim që të kemi përfundime konkrete për metodologjinë e re të zgjerimit të cilën e kemi propozuar me qëllimin që të mos vazhdojë më të jetë burokratike por të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e vendeve kandidate”, u shpreh Macron në fillim të janarit të këtij viti duke lënë të kuptohet se Franca do ndryshonte qëndrim në lidhje me Shqipërinë.








































