Inspektorati i Lartë i Drejtësisë pritet të ketë kapacitet të plotë për të skanuar vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prej gati tre vitesh janë pezulluar inspektimet në drejtësi, por me ngritjen e ILD-së, pritet që të gjithë të kalojnë në skaner. Artur Metani ka kërkuar staf mbështetës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë i Gjykatës dhe interesi ka qenë i lartë. Dje, KLP zhvilloi seancën e radhës, ku zbardhi emrat që kanë shfaqur interes për tu bërë pjesë e ILD-së. “Para Këshillit janë prezantuar opinionet për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Midis 2 kandidaturave, Këshilli miratoi me 10 vota pro, opinionet për kandidimin e znj. Mirela Kapo”, shkruhet në njoftimin e Këshillit. Gjithashtu, gjatë seancës së mbajtur dje, është miratuar dhe projektvendimi për të nisur procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kancelarët e prokurorëve dhe të kandidatëve që kanë shprehur interesin për t’u komanduar në ILD. “Me 10 vota pro janë miratuar projekt-vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kancelarët në detyrë në sistemin e prokurorisë dhe projekt vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët që kanë shprehur interesin për t’u komanduar si inspektor në ILD, si vijon: Elena Pelushi, Xhevahir Lita, Daniela Sulaj, Sonila Muhametaj Domi”, njofton Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ashtu siç ishte lajmëruar në rendin e ditës, dje u votua edhe për prezantimin e opinioneve të kandidatëve që kanë shprehur interes për tu komanduar pranë KLP, si këshilltarë. “Me 10 vota pro, janë miratuar edhe prezantimet e opinioneve për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar në pozicionin Këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për një periudhë kohore 3-vjeçare, si vijon: Ornela Rrumbullaku, Artur Cara, Mihallaq Bleta, Arian Muçaj, Erion Pano dhe Vitjona Mata”, shkruhet në njoftimin zyrtar.
Masat ndëshkimore
Në kuadër të paketës anti-KÇK, Inspektori i Drejtësisë mori super kompetenca. Sipas ndryshimeve ligjore të miratuara javën që lamë pas në Parlament, ai mund të bëjë pezullime gjyqtarësh brenda 3 ditëve dhe në bazë të shkeljeve mund të kërkohet shkarkim, pezullim apo ndëshkim me gjobë për çdo gjyqtar e prokuror. Ndryshimet nuk kanë hyrë ende në fuqi, por sapo të ndodhin, pritet që ILD të nisë goditjet, kjo pasi ashtu si KLP, edhe KLGJ do asistojë me gjyqtarë.
Shtyhet afati për vendet vakante në SPAK
Vendet vakante në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ishte në rendin e ditës në seancën e djeshme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Gjatë seancës, anëtarët e KLP-së vendosën që të shtyjnë me 40 ditë maksimumi aplikimin e të interesuarve. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi, për shtyrjen e afatit të aplikimit për plotësimin e 2 pozicioneve vakante si prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në pikën 3 të vendimit shprehja “jo më vonë se 15 ditë kalendarike”, zëvendësohet me shprehjen “jo më vonë se 40 ditë kalendarike””, njofton Këshilli i Prokurorisë. Gjithashtu, në seancën e djeshme Këshilli hodhi shortin për të përzgjedhur dy anëtarët e KLP, të cilët do të jenë pjesë e Komisionit të Posaçëm për vlerësimin e kandidatëve për prokurorë në SPAK. Shorti “zgjodhi” Tartar Bazajn dhe Besnik Canin, ndërsa vlen të theksohet se ky i fundit është ende në veting. Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të japë vendimin përfundimtar për të enjten e 27 shkurtit. “Në përfundim të seancës plenare, është hedhur shorti për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit, të cilët do të jenë pjesë e Komisionit të Posaçëm për vlerësimin paraprak të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, bazuar në nenin 11 të Rregullores, ku shorti ka përzgjedhur z. Besnik Cani dhe z. Tartar Bazaj”, bëhet me dije në njoftim.








































