Vijojnë skandalet me legalizimet, pas Beratit dhe Lezhës që ishin pak ditë më parë këtë herë KLSH ka gjetur shkelje në dy qytete të tjera. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht 10 ish-funksionarë të ALUIZN-it në Tiranë dhe Bulqizë. Në raportin e KLSH theksohet se janë kryer shumë abuzime me legalizimet. Sa i takon qytetit të Tiranës, KLSH thekson se shkeljet e konstatuara në këtë qytet krijojnë një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 290,761mijë lekë për 5585 objekte në total. “Nga 5585 leje legalizimi të lëshuara, 2750 leje legalizimi ose rreth 49% e këtyre lejeve të legalizimit, janë lëshuar vetëm për objektin me shënimin në lejen e legalizimit “Kalimi i pronësisë për parcelën ndërtimore do miratohet me VKM”, nisur nga çmimet e tokës truall për këto zona”, dhe për sipërfaqet e parcelave ndërtimore, rezulton një shumë që duhej paguar prej subjekteve informale. Në 49 raste me sipërfaqe prej 18315.1 m 2 , sipas dokumentacionit të pronësisë lëshuar nga ZVRPP, parcela ndërtimore e zënë ndodhet e regjistruar në pasurinë e llojit “Arë, Pyll, Tokë pa fryt”. Pra legalizimi është kryer në zona “Territore të tjera”, duke ndryshuar zërin kadastral, regjimin e tokës në llojin e pasurisë Truall”, thuhet në raportin e KLSH për Tiranën. Ndërsa për Bulqizën KLSH vëren se janë përfituar në mënyrë abuzive dhe janë tjetërsuar shumë pasuri. “Janë përfituar në mënyrë abuzive në kushtet e mungesës së AMTP-ve në favor të subjekteve private dhe në kushtet e mungesës së dokumentacionit ligjor të truallit dhe objekteve, duke kryer transaksione, tjetërsuar pasuri në mungesë të dokumentacionit që shërben si titull pronësie, si dhe janë bërë ndryshime hartografike dhe në sipërfaqe, kryer korrigjimi, përfshirë sipërfaqe të pasurisë “rrugë”, për të cilën mungon dokumentacioni i fitimit të pronësisë”, thuhet në raportin e KLSH për Bulqizën. KLSH ka kryer një auditim, ku vëren se i janë rekomanduar masat Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundraligjshme në transaksionet me pronat.