Era ruse ka nisur të fryjë sërish mbi Presidencë. Sa herë që Shqipëria bëhet gati për të hapur negociatat, tentakulat ruse riaktivizohen për të penguar të ardhmen europiane të vendit. Fiks një vit më parë nisi një valë destabilizimi për të bllokuar negociatat dhe u arrit. Por teksa këtë herë shanset janë akoma dhe më të mëdha, sërish kanë nisur tentativat për të goditur vendin. Vjet ishte opozita, ndërsa këtë herë është presidenti Ilir Meta. Më 2 mars kreu i shtetit do të zbresë në rrugë kundër qeverisë, i pari në histori që e bën diçka të tillë. Por duket se këto lëvizje të presidentit kanë ekzaltuar mediat ruse. “Russia Today”, “Charter97” dhe shumë portale të tjera ruse i kanë bërë jehonë deklaratës së Presidentit. Madje që në titujt e tyre janë shprehur se Meta kërkon mbështetje qytetare për rrëzimin e qeverisë. “Presidenti shqiptar Ilir Meta, të mërkurën u bëri thirrje shqiptarëve që më 2 mars të protestojnë kundër qeverisë aktuale të krahut të majtë, të cilën ai e akuzon për shkelje të Kushtetutës dhe lidhje me krimin e organizuar. Ilir Meta e quajti protestën e ardhshme një “testament” që “do të shkatërrojë regjimin oligarkik, i cili qëllimisht shkel sovranitetin e popullit dhe synon të shkatërrojë popullsinë dhe ta kthejë shtetin në një bazë operative për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave””, thuhet në shkrimin e “Charter97”. Ndërsa Russia Today” shprehej: “Meta tha në një konferencë për shtyp se shpreson që njerëzit të vijnë në kryeqytet më 2 Mars, kur ai planifikon të nënshkruajë dekretin e parë kundër asaj që ai thotë se është një “grusht shteti” që po kryhet nga qeveria përmes sistemit të drejtësisë” .
Si ka mundësi që sa herë që Shqipëria rrit bashkëpunimin me vendet partnere (Konferenca e Donatorëve) dhe shanset për hapje negociatash shtohen, del një grup individësh që duan destabilizimi? Sipas ekspertëve ndërkombëtarë dhe vetë SHBA, Rusia është shteti i cili nuk e do integrimin e Ballkanit në BE. A po bën presidenti lojën e Moskës në Ballkan? Kjo është pyetja më normale në këto raste, pasi edhe pse Meta flet se po e bën për të mbrojtur Kushtetutën, faktet janë ndryshe. Presidenti po tregon skandale me emërimin në Gjykatën Kushtetuese, temë e cila u ezaurua muaj më parë. Fakti që po rihapet si çështje tregon se fle diku tjetër lepuri. Dihet që me tubime nuk vendoset rendi kushtetues, por përkundrazi mund të kemi përkeqësim të tij. Por Meta ka vendosur t’i hedhë benzinë zjarrit dhe dihet se kush përfiton në këtë mes.
Qëndrimet kundër SHBA
Ilir Meta është ndër politikanët që ka nisur një luftë frontale me SHBA. Edhe pse mundohet të deklarojë se ka kontakte me personalitete në Uashington, faktet tregojnë se është mënjanur nga amerikanët. Pak kohë më parë në Tiranë erdhi drejtori i DASH për Ballkanin, i cili nuk zhvilloi asnjë takim me Metën. Zv/ambasadorja e SHBA, Leyla Mosses Ones nuk i shkoi për muaj e muaj me radhë në zyrë. Po ashtu Meta ishte në SHBA në fillim të muajit dhe amerikanët e lanë në hije. Tentoi të shiste një foto me Mike Pompeon, por që ishte thjesht rastësore në Mëngjesin e Lutjeve. Ndërkohë Meta arriti deri aty sa të thoshte se rruga e Elbasanit të çon në Xibrakë. Me “Rruga e Elbasanit” në rrethet politike identifikohet ambasada e SHBA, ndërsa Xibraka njihet për magazinën e kokainës. Po ashtu Meta nisi një përplasje të fortë me amerikanët dhe për çështjen e Kosovës. Bashkë me Berishën u doli disa herë kundër, ndërkohë që është i vetmi që ka injoruar zërat për ndikim rus. Pra faktet flasin vetë se çfarë loje po bën presidenti.









































