Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, drejt kolapsit pritet të shkojnë edhe gjykatat e Apelit. Alarmi është dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ku përmes një shkrese i është drejtuar ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe për dijeni edhe Kuvendit, qeverisë, Komisionit të Ligjeve dhe Euralius. Gazeta ka siguruar shkresën e plotë, në të cilën evidentohet qartë fakti se sistemi i drejtësisë është në krizë dhe duhen ndryshime ligjore. KLGJ bën me dije se shkak për këtë krizë është bërë procesi i vetingut, pasi në tetor të 2017 kur nisi ky proces numri i gjyqtarëve në Apel ka qenë 99. Por ky numër do të vinte duke u reduktuar pasi shumë gjyqtarë ngelën në të dy shkallët e vlerësimit. Shkresa mban datën 31.12.2019, ku KLGJ vuri në dijeni se 2020 do të niste me më pak gjyqtarë në detyrë, ku theksoi se do të jenë 61 gjyqtarë në detyrë. “Në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve sipas Ligjit nr.84/2016, pra në Tetor 2017, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve në detyrë në gjykatat e apelit ka qenë 99, ndërsa ka patur 3 pozicione të lira të përhershme në dy gjykata apeli me juridiksion të përgjithshëm (dy në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe një në Gjykatën e Apelit Vlorë). Aktualisht, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve në detyrë në gjykatat e apelit është 63, ndërsa në Janar 2020 ky numër do të jetë 61, pasi Këshilli do të duhet të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për 2 gjyqtarë, të cilët në Dhjetor 2019 kanë dhënë dorëheqjen nga detyra. Pra, gjatë periudhës së zbatimit të procesit të rivlerësimit kalimtar në gjykatat e apelit janë krijuar edhe 38 pozicione të lira, që bashkë me 3 pozicionet që kanë qenë të lira në momentin e fillimit të procesit, në total bëjnë 41 (pozicione të lira)”, thuhet në shkresë.
Të rrezikuarit nga vetingu
Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor, shfaq shqetësimin, se numri i gjyqtarëve të Apelit pritet të reduktohet edhe më tej për shkak të procesit të vetingut, nisur kjo nga një deklarim publik i Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurisë, ku gjyqtarët kanë dalë me rezultate negative të kontrollit të pasurisë dhe interesave private, rreth gjysma e tyre. “Ndërkohë, numri i gjyqtarëve të gjykatave të Apelit është e pritshme të reduktohet akoma më tepër si rezultat i procesit të rivlerësimit kalimtar, nisur kjo nga deklarimi publik i disa kohëve më parë të Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për rezultatet negative të kontrollit të pasurisë dhe interesave privatë për rreth 50% të gjyqtarëve të gjykatave të Apelit, si dhe nga trendi i rezultateve të procesit të rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që prej disa muajve të gjithë gjyqtarët e këtyre gjykatave janë në proces rivlerësimi kalimtar dhe pritet përfundimi i këtij procesi përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në shkresë.
Vakancat e SPAK
Po ashtu, shqetësim është bërë edhe për plotësimin e vakancave në SPAK. “Ju informojmë se numri i përgjithshëm i gjyqtarëve në gjykatat e Apelit, qoftë në ato me juridiksion të përgjithshëm, ashtu dhe në ato me juridiksion të posaçëm (atë administrativ dhe atë për korrupsionin dhe krimin e organizuar), ndërsa ende nuk ka përfunduar procesi i riorganizimit të rretheve gjyqësore dhe përcaktimi i kompetencave tokësore të gjykatave, vijon të jetë siç përcaktohej nga legjislacioni në fuqi në momentin e miratimit të paketës ligjore për reformën në drejtësi, ndër to edhe të Ligjit nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Konkretisht, bazuar në dekretet përkatëse të Presidentit të Republikës për organikat e gjyqtarëve të gjykatave të Apelit, numri total i tyre është 102 (njëqind e dy), nga të cilët 24 (njëzet e katër) është numri i gjyqtarëve në gjykatat e posaçme (trembëdhjetë gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Apelit dhe njëmbëdhjetë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda/sot Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar)”, thuhet në shkresë.