Google search engine
Home Ekonomi Kompanitë celulare batërdi me tarifat, Shqipëria mes 10 vendeve me çmimet më...

Kompanitë celulare batërdi me tarifat, Shqipëria mes 10 vendeve me çmimet më të larta, KLSH hedh dritë mbi skandalin

0
493

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbardhur tjetër skandal me kompanitë celulare. Edhe pse u bllokua vendimi i tyre për të rritur çmimet e paketave, nga Autoriteti i Konkurrencës, çmimet e paketave telefonike në Shqipëri vijojnë të jenë ndër më të lartat. Sipas auditimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vendi ynë renditet i 9 mes 37 vendeve për tarifat më të larta. KLSH nënvizon problematikat që shfaqen në këtë treg dhe vë përpara përgjegjësisë në këtë rast Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. KLSH shprehet se tarifat mesatare në vendet e BE dhe BEREC variojnë nga 0,77 cent/min, që është mesatarja e thjeshtë aritmetike në 28 vendet anëtare të BE, deri në 0,88 eurocent/min që është mesatarja e thjeshtë aritmetike e 37 vendeve të BEREC. “Tarifa e terminimit në Shqipëri është 0,98 eurocent/min, më e lartë se mesatarja e thjeshtë në vendet e BE dhe se tre mesataret e tjera të përllogaritura nga BEREC. Shqipëria është vendi i 9-të me tarifat më të larta nga 37 vendet e BEREC”, vlerëson KLSH.

Konstatimet

Nga auditimi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë një sërë konstatimesh. Raporti i KLSH vlerëson se tregu shqiptar telefonik është një oligopol. “Tregu i telefonisë celulare ka përqendrim të lartë, duke reflektuar një strukture oligopoli dhe kjo për shkak të rritjes gjithnjë e më shumë në treg të sipërmarrësit me pjesën më të madhe të tregut”, thekson KLSH në raport. Sakaq KLSH kujton kompaninë “Plus” e cila tani më ka dalë nga tregu. KLSH thekson se problemi tjetër që është konstatuar është edhe konkurueshmëria. “Përveç tarifave në dukje të larta, një problematikë tjetër është edhe niveli i ulët i konkurrueshmërisë së tregut të telefonisë celulare. Dalja nga tregu e operatorit Plus Communication e ka ndryshuar strukturën e tregut nga 4 në 3 operatorë, duke vijuar trendin rritës të indeksit të përqendrimit”, thuhet në raport. Pra duket se kompanitë kanë krijuar një oligopol në këtë fushë të tregtisë duke mos lënë as kompanitë e tjera që të bëhen pjesë e tregut, në mënyrë të atillë që marrëveshjet mes tyre të jenë sa më të lehta. Pak kohë më parë Autoriteti i Konkurrencës vendosi të bllokonte rritjen e tarifave dhe theksoi se të treja kompanitë kanë bërë marrëveshje me njëra tjetrën pasi rritja e çmimit ishte e njëjtë për të treja, me 200 lekë. Përqendrimi i lartë duket se ka ndikuar negativisht tek konkurrenca në treg duke bërë që të ketë mungesë efektive të saj. Sa i takon kësaj situate, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nënvizuar se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për periudhën nën auditim 2017-2018, nuk ka përmbushur me efektivitet mbikëqyrjen e tregut të telefonisë celulare kah ruajtjes së konkurrencës së lirë dhe të ndershme në tregun e telefonisë celulare.

Teknologjia 5G

Raporti i KLSH është ndalur edhe tek teknologjia e shumëpërfolur e rrjetit 5G. Raporti vlerëson se AKEP dhe Qeveria në tërësi nuk kanë kryer një analizë paraprake lidhur me pasojat dhe efektet që do të sjellë implementimi i teknologjisë 5G në vendin tonë. “Përfitimet ekonomiko-sociale duhet të ecin krah për krah me ato të Sigurisë Kombëtare. Implementimi i teknologjisë së gjeneratës së 5-të (5G) në Shqipëri mbart me vete një risk të lartë të thyerjes së sigurisë së informacionit dhe kërkon domosdoshmërisht të kryhet duke u bazuar në një plan-veprimi kombëtar, të detajuar qartë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim mbrojtjen e padiskutueshme nga aksesi i paautorizuar, tjetërsimi, keqpërdorimi apo mos-disponueshmëria, e një aseti të çmuar për konsumatorin shqiptar, siç është informacioni”, vlerëson KLSH.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here