Filmat shqiptarë prodhime të Kinostudios, për publikun në Gjermani

0
630

Filmat shqiptarë prodhime të Kinostudios, realizuar nga regjisorë të njohur, po shfaqen në Frankfurt. Retrospektiva e filmit shqiptar “Albanian Series”, kuruar nga Louise Burkart në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit vijon në institucionin më të rëndësishëm gjerman, DRR-Instituti dhe Muzeu i Filmit Gjerman. Prej disa ditësh në Frankfurt po janë shfaqen prodhime të ndryshme të kinematografisë shqiptare para viteve 90, dhe janë tituj që kuratorja Louise Burkart ka zgjedhur për të qenë pjesë e kësaj retrospektive, që nisi më datë 11 shkurt dhe do të vijojë deri në datën 28 të këtij muaji. Filmi “Toka jonë” ishte i pari që u prezantua në Frankfurt. Me regji nga Hysen Hakani filmi është prodhim i vitit 1964, në Kinostudio. Filmi i dytë që u shfaq ishte ai me titull “Kapedani”, me skenar nga Skënder Plasari dhe me regji nga Muharrem Fehzo dhe Fehmi Hoshafi. Filmi tjetër ishte ai me titull “Në Festivalin e 11 të Këngës”, me regji nga Donika Muçi. Filmat “Lumi, që nuk shteron” me regji nga Fatmir Koçi prodhim i vitit 1989 ishte pjesë e retrospektivës, për të vijuar dhe me filmin “Nusja dhe shtetrrethimi” me skenar nga Helena Kadare dhe regji nga Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj. Në përzgjedhjen e kuratores janë dhe filmat “Gjeneral Gramafoni” me skenar dhe regji nga Viktor Gjika, prodhim i vitit 1978, “Kolonel Bunker”, me skenar dhe me regji nga Kujtim Çashku, prodhim i vitit 1996. Në datë 25 shkurt do të shfaqet në Frankfurt filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani. Skenari i filmi është shkruar nga nga Peçi Dado, Gëzim Erebara, Piro Milkani. Më pas retrospektiva vijon me filmin “Tomka dhe shokët e tij”, me skenar nga Nasho Jorgaqi, regji nga Xhanfise Keko realizuar në vitin 1977, që do të jetë i fundit që do të shfaqet. Para filmit shqiptar në Gjermani, “Shqipëria Misterioze: Pasqyrime në një histori të panjohur të filmit”, retrospektiva e kuruar nga Louise Burkart me filmat shqiptarë ndër vite, u shfaqet në ekranin e kinemasë Metro Kinokulturhaus të Arkivit të Filmit në Austri.

Filmi “Toka jonë”

Filmi “Toka Jonë”, i pari që u shfaq si pjesë e kësaj retrospektive, prodhuar në vitin 1964 me regjisor Hysen Hakani, skenari është shkruar nga Peçi Dado dhe muzika nga Çesk Zadeja. Ngjarjet në filmin “Toka jonë”, na çojnë në një fshat në veri të Shqipërisë. Reforma agrare i kthen tokën Lokes dhe familjes së saj, të cilën ia kishte përvetësuar me intriga Tuç Maku, një pronar i madh tokash në atë zonë. Fillon konflikti midis dy familjeve. Tuç Maku hakmerret duke vrarë Murrashin, djalin e Lokes, i cili ishte një nga aplikuesit e reformës agrare. Mbas kësaj tragjedie Lokja kthehet te fëmijët e saj, Leka dhe Filja. Në role janë aktorët Mario Ashiku, Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Vangjel Heba, Roza Anagnosti, Luigjina Leka, Gaqo Spiro , Qemal Mehmeti, Ndoc Sheldija, etj. Hysen Hakani njihet si regjisori i filmit të parë artistik me metrazh të shkurtër. Në Akademinë e Filmit në Pragë, ai mbrojti diplomën, bashkë me Kristaq Dhamon, të cilët më pas u kthyen në Shqipëri, për t’iu përkushtuar kinematografisë shqiptare, e cila në atë kohë sapo kishte hedhur hapat e parë. Midis filmave të tij përmendim filmi “Debatiku” (1961), të cilin e realizoi si bashkëregjisor me Gëzim Erebarën dhe ku pasqyrohet kontributi i fëmijëve të varfër në Luftën Nacional-Çlirimtare, për të vazhduar më pas tek filmi “Toka jonë”, “Oshtimë në bregdet”, “Njësiti gueril”, “Ndërgjegjja”, etj, filma që janë ngulitur për të mos u harruar më kurrë në kujtesën dhe celuloidin e kinematografisë sonë. Filmi i tij i parë është filmi “Fëmijët e saj”, i realizuar në vitin 1957.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here