Rritja e pagave në drejtësi duket se po bëhet e modës. Edhe pse me ndryshimet e reja ligjore pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve u dy apo trefishuan, ka nga ata që janë ende të pakënaqur. Kuvendi vendosi të rrisë pagat për anëtarët e SPAK, por kjo duket se ka nxitur dëshirën për më shumë para për anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në seancën plenare të 11 shkurtit në KLP, ka pasur debate mes anëtarëve për çështjen e pagave. Ka qenë anëtari Alfred Balla që ka shprehur këtë shqetësim. Balla në krye të Komisionit të Etikës, pas përfundimit të rendit të ditës, i kërkoi kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të shpërblejë ekstra anëtarët e Komisionit të Etikës dhe të Komisionit të Karrierës, pasi sipas tij kanë pasur peshën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë vitit 2019. “Atëherë, ne në emër të komisionit që drejtoj, kemi paraqitur këtë raport që e keni në dispozicion, dua të parashtroj se kryesisht gjatë vitit 2019, Komisioni i Etikës së bashku me Komisionin e Karrierës, kanë qenë dy komisionet bazë që kanë mbajtur peshën e punës së Këshillit. Ne kryesisht jemi marrë me rekomandimet e komisionit të vlerësimit dhe veprimtarisë praktike profesionale, fushën për analizimin e aftësive profesionale dhe etike të magjistratëve, raportet i kemi përcaktuar, rekomandimet për komandimet e magjistratëve, raportet për lejet e papaguara të magjistratëve, raportet mbi verifikimet e pasurisë dhe figurës për të diplomuarit etj. Duhet thënë që, jashtë modestisë, të dy anëtarët e këtyre komisioneve i përgëzoj për punën, dhe do të propozoja që nga ana e drejtuesit të KLP-së të shikohej edhe mundësia e pagesës ekstra, në lidhje me shpërblimin e punës që gjithësecili Komision ka bërë”, përfundoi Balla.
Reagon Bujar Sheshi
Propozimit të anëtarit Alfred Balla, iu kundërvu Bujar Sheshi, anëtar i Këshillit, njëkohësisht edhe kreu i Komisionit të Disiplinës. Sheshi tha se kjo është puna e tyre dhe se nuk duhet të kërkojmë shpërblim ekstra. “Unë nuk kam asgjë në lidhje me atë reklamën e bërë nga ana e tij. Sikur të kishte folur vetëm për komisionin tij do të isha tërësisht dakord, por merr përsipër të flasë për punë të bërë dhe nga Komisioni i Karrierës dhe në këtë pikë nuk mund të rri pa i kujtuar zotit Balla se ndoshta nuk e ka lexuar tamam raportin e punës së komisionit tonë, duke e zhveshur nga kërkesa për shpërblim. Nëse e meritoni ta mbani, ne nuk kërkojmë shpërblim si komision, besoj kam dhe fjalën e zotit Tartari”, tha ai.
Reagon Ibrahimi
Pas këtij të fundit, fjalën e mori kreu i KLP-së, duke i thënë se kjo çështje nuk i takon atij, duke i bërë me dije se nuk është në dijeni nëse lejohet pagesa ekstra me ligj. “Ndoshta në këtë pikë, duhet të raportojë edhe Komisioni i Buxhetit si një mënyrë për t’i dhënë përgjigje propozimit tuaj. Natyrisht që të gjithë ne bëjmë detyrën. Ne jemi funksionarë të lartë të shtetit. Nuk e di sesa është e lejueshme pagimi i shpërblimit shtesë për punën që ne bëjmë, megjithatë, do t’i kërkoj administratës që të shqyrtojë mundësinë ligjore për këtë dhe në rast se është kështu, nuk dua që ta marr vetë këtë vendim. Është çështje administrative dhe dua që ta shtroj këtë çështje në Këshill”, tha Ibrahimi.










































