Data 20 shkurt e vitit 1991, që përkon me rrëzimin e bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, ka nxitur gjithmonë debate. Gjon Bruçi ka hedhur më shumë dritë rreth kësaj ngjarje, duke hedhur akuza se arkitektë të këtij plani kanë qenë Ramiz Alia dhe Sali Berisha. Në një reagim për gazetën “SOT”, Bruçi u shpreh se askush nuk guxoi ta rrëzonte atë sa ishte gjallë, duke theksuar se Ramiz Alia e bëri monumentin e madh për të bërë më shumë zhurmë në momentin që do e rrëzonin. “Sigurisht, Sali Berisha ishte një vartës i Ramiz Alisë. Ne duhet të kuptojmë një herë se kusht ishte Enver Hoxha. Enver Hoxha ishte përfaqësuesi më tipik i popullit shqiptar, i cili realizoi dy epoka madhështore, LANÇ dhe epokën socialiste. Këto dy epoka duheshin shembur për arsye sepse u jepej besim se një vend i vogël mund ta fitojë lirinë, mund të ndërtojë vendin pavarësisht nga rrethanat të tjera politike ndërkombëtare. Detyrimisht ky shembull siç ka ndodhur edhe pas vdekjes së Skënderbeut do të duhej shembur ky mit i lirisë së popullit të vogël dhe kjo realizohej duke shembur simbolin e këtij sistemi. Meqë nuk e shembën dot sa ishte gjallë, atëherë shembën monumentin që ishte simbol. Fakti që monumenti ishte bërë i stërmadh, nuk e bëri Enveri, por e bëri Ramizi dhe qëllimi që e bëri atë monument të lartë ishte që kur të shembej të bënte më shumë “krizmë””, tha Bruçi. Ai më tej deklaroi se rrëzimi i bustit ishte një plan i mirëmenduar që në fillim, ku shtoi se montimi me vida është tregues i qartë se do të hiqej. “Fakti që ai ishte montuar me vidha e tregon që ishte planifikuar për tu vënë dhe për tu hequr më pas. Skena e shembjes së monumentit të Enver Hoxhës është dirigjuar nga Ramiz Alia, i cili duke qenë shumë afër Enverit shpëtoi pa u goditur nga ai, sepse Enver Hoxha në çdo situatë që krijohej godiste politikisht, por edhe penalisht ndaj tradhtarëve dhe ndaj agjentëve të huaj. Mirëpo Ramiz Alia duke qenë shumë afër edhe poshtë bërrylit të tij shpëtoi. Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës shënon edhe përmbysjen e qeverisë. Shembja e atij simboli që ishte i lidhur me dy epokat tona, shembi edhe vetë shtetin shqiptar dhe ekonominë e tij. Mbas shembjes së bustit nga frika e revoltës së popullit Ramiz Alia priste nga krahina të ndryshme grupe-grupe për ti bindur dhe qetësuar”, u shpreh Gjon Bruçi









































