Antonio Forcione, një koncert për publikun në teatrin Metropol

0
456

Artisti arbëresh Antonio Forcione këtë mbrëmje do të jetë në skenën e teatrit “Metropol”, në edicionin e dytë të festivalit muzikor “MetroSounds”. Teatri shprehet se Forcione, që vjen natën e fundit të festivalit është një artist i njohur dhe i vlerësuar në skenat botërore. “Jemi krenarë të mirëpresim në sallën e Metropolit, një artist prestigjioz e tepër të rëndësishëm për skenat e mëdha botërore të muzikës. Kompozitor, kitarist dhe producent, arbëreshi Forcione konsiderohet nga kritika si “Jimi Hendrix i kitarës akustike”. Një histori talenti, pasioni dhe egërsie spazmike për të arritur përsosmërinë e nxjerrjes së çdo tingulli dhe emocioni nga kitara. Rezultati? Një gërshetim virtuoz, ritme impulsive dhe ambicie e flaktë shpirtërore, shoqëruar me një prekje humori të lindur”, shprehet institucioni, për artistin që do të jetë në Tiranë me një koncert live. “MetroSounds” është një festival muzikor, i cili zhvilloi disa koncerte, i pari më datë 1 shkurt. Programi i “MetroSounds 2” përbëhet nga një përzgjedhje artistike, e cila është e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë mesdhetare. Për disa mbrëmje në skenë erdhën artistë të huaj, por dhe shqiptarë. Koncertet u zhvilluan në datat 1, 6, 13, 15 shkurt për të mbërritur në mbrëmjen e fundit. Më herët teatri bënte me dije se përpos emrit kryesor, festivali do të ketë dhe nënshkrimin “A Mediterranean Tale/ Përrallë Mesdheu”, dhe sjell copëza kulturash të ndryshme. “Si i tillë ky program sjell copëza kulture nga fqinjët tanë më të afërt, si një formë për të vlerësuar dhe dialoguar me kulturat, që na rrethojnë nëpërmjet muzikës”, shprehej Metropol. Grupi “DuOud” çeli programin dinamik të festivalit “MetroSounds 2”, në teatrin Metropol. Më pas erdhi dhe artisit i njohur Robert Bisha, në mbrëmjen e dytë të këtij festivali. Linda Rukaj këngëtare, kompozitore, kitariste dhe kontrabasiste ishte në skenë më datë 13 shkurt. Që nga mosha 6 vjeçare, Linda Rukaj angazhon një larmi instrumentesh, që evokojnë emocione të përveçme, duke përçuar gjithpërfshirje dhe intimitet, krahas një force ndjesore të pashoqe. Ansambli folklorik “Tirana” ishte gjithashtu në skenë më 15 shkurt, me një program të pasur popullor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here