Presidenti i Republikës Ilir Meta paralajmëroi se do të shpërndajë Parlamentin. Ish-kreu i KQZ Kristaq Kume tregoi rrugën se si mund të shkohet drejt shpërndarjes së Kuvendit.
Kume shtoi se ligji dhe Kushtetuta nuk parashikon që pas referendumit të shpërndahet parlamenti. Megjithatë, ai shprehet se do të jetë e pamundur që referendumi të kryhet brenda këtij viti, pasi sipas tij nuk e lejojnë afatet kohore të parashikuara në Kodin Zgjedhor.
“Ne po përplasemi në mënyrë të vazhdueshme me qëndrime refraktare të palëve. Secila qëndron në llogoren e vetë, por efektet e të gjithë kësaj bien mbi ne. Nuk pritën të jepej vendimi por bën një ligj të ri. Bën ligjin duke e kapërcyer Kushtetutën. Kushtetuta e kërkon haptazi gjënë, që gjyqtari i Gjykatës Kushtetetuese e fillon punën kur betohet para Presidentit. Do ishte shumë mirë që të pritej mendimi i Komisionit të Venecias dhe pastaj të vendosej. Shpejtësia me të cilën u mor ky vendim, nuk i shërben zgjidhjes së problemit por vazhdimit të përplasjeve të mëtejshme.
Populli mund ta bëjë nëpërmjet vendimmarrjes direkte. Populli nëpërmjet referendumit të përgjithshëm mund të shprehet. Nëse i referohemi Kushtetutës, ku thuhet se nëse 50 mijë zgjedhës me drejtë vote mund të kërkojnë referendum. Mund të jemi në këtë çështje ku i bëhet thirrje Presidentit për referendum. Edhe në këtë rast shkon në Gjykatën Kushtetuese, por në këtë rast kjo Gjykatë nuk e gjykon në themel gjënë. Për pasojë ky lloj referendumi, që mund të jetë i rëndësisë së veçantë, rezultati përfundimtar mund të jetë prodhimi i një materiali konsultues jo vendimarrës. Pra, mund të thonë se “ne nuk jemi dakord me këtë parlament”. Dhe nëse qytetarët thonë këtë, kjo nuk e shpërndan parlamentin direkt, por krijon një situtatë që e bën të papranueshme për të vazhduar më tej.
Nuk ka të shprehur ligjërisht që pas referendumit Presidenti të shpërndajë parlamentin. Është e pamundur që kjo punë të bëhet brenda këtij viti. Në Kodin Zgjedhor parashikohet që çdo referendum, duhet të përfundojnë procedurat brenda datës 15 mars. Ndaj unë them se në aspektin kohor është e pamundur të bëhet tani. Në 2021 janë zgjedhjet e ardhshme, por mund të bëhet në fillim të vitit 2021. Nuk ka rrugë tjetër që t`i japi mundësi Presidentit të Republikës që të shpërndajë Kuvendin. Nuk mjaftojnë tubimet, por edhe rezultati i referendumit nuk mjafton, sepse nuk e kemi të shprehur”, tha Kume për Ora News.









































