Operacioni Forca e Ligjit vazhdon aksionin e luftës kundër pasurive të vëna në rrugë të paligjshme. Ditën e sotme zëdhënësja e OFL doli në një deklaratë për shtyp ku iu dha ultimatum dy emrave të tjerë nga Vlora për deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve.
Zbardhen identitetet e plota të dy të fortëve në Vlorë që iu kërkua nga Operacioni Forca e Ligjit që të plotësojnë formularin e deklarimit brenda 48 orësh.
Bëhet fjalë për dy vëllezërit për Altin dhe Mikel Çuca. Ata janë dënuar në Itali për trafik droge. Mikel Çuca është arrestuar në një operacion të përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj italiane në 2011.
Edhe Altini, vëllai i tij është arrestuar në Itali me të njëjtën akuzë. Më herët vëllezërit e kanë pasur mbiemrin “Çuçaj” dhe e kanë bërë “Çuca” më vonë.
Deklaratë e plotë e Policisë
Vijon Operacioni Forca e Ligjit, për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda dhe në këtë kuadër OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.
Në vijim të veprimeve, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
A. Ç., banues në Vlorë, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për “Trafikim të lëndëve narkotike”;
M. Ç., banues në Vlorë, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për “Trafikim të lëndëve narkotike”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL bën me dije se formularët e plotësuar nga personat që u është kërkuar vetëdeklarimi janë dorëzuar në SPAK, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.
Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.









































